Njësia Dekriminalizimit ka nisur hetimin për 3 kandidatë në zgjedhjet e 25 prill. Një vendim i tillë është marrë pas kërkesës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Bëhet fjalë për Bojken Abazin, që vjen nga Vetëvendosja, por i regjistruar si kandidat i pavarur dhe Pal Shkambit edhe ky i fundit, i cili garon i vetëm jo nën siglën e një force politike. Gjithashtu, ka nisur hetimi edhe për kandidatin Rezeart Tusha, pjesë e listave të PD, Durrës.
Për Rezeart Tushën ka pasur denoncime në media se kandidati demokrat është arrestuar në Zvicër më 18 shtator të vitit 1994 nga policia e Gjenevës në operacionin e koduar me emrin Hydra sepse kishte 42.5 gram drogë heroinë dhe i është ndaluar hyrja për në Zvicër.
Nuk dihen indicet që ka marrë KQZ-ja që ka kërkuar hetime më të thelluara për pastërtinë e figurës mbi 2 kandidatët e tjerë, Bojken Abazin dhe Pal Shkambit.
Partitë politike kanë dorëzuar listat e kandidatëve për deputet në 8 mars dhe që nga ai moment, KQZ në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve kanë nisur verifikimet.