Duket se ‘Alba Exotic Fruit’ nuk e ndalon asgjë! Kanë kaluar vetëm 10 ditë nga zbulimi i 11 kg e 650 gramë drogë brenda kontejnerit të ngarkuar me banane që vijnë nga amerika latine, dhe sot sërish e njëjta kompani kapet me 6.5 kg të tjera kokainë.
Kujtojmë se kjo është hera e tretë që zbulohet drogë e fshehur brenda kamionëve me bananeve të ‘Alba Exotic Fruit’, kompani nën pronësinëw e Eduart Dautin dhe Barjon Gumeni. Më 19 gusht 2019 kontejnerët mbërritën nga Ekuadori, tranzit në portin e Pireut në Greqi dhe në këtë moment nisi operacioni ku u zbuluan dhe u sekuestruan 137 kg kokainë nën koordinimin e DEA dhe autoriteteve greke të cilët më pas njoftuan edhe palën shqiptare.
Për kapjen e 11 kg e 650 gramëve 10 ditë më parë Barjon Gumeni është lënë në burg më 16 korrik nga Gjykata e Shkallës së Parë Durrës, ndërkohë që Prokuroria e Durrësit shpalli moskopetencë për çështjen. Gumeni nuk ka pranuar akuzat, duke mohuar përfshirjen e tij në trafikun e drogës, ndërsa ka thënë se nuk ka patur dijeni për sasinë e kokainës që u gjet në kontejner. Ai është edhe aksioner në kompani, ku zotëron 10% të aksioneve, ndërsa 90% janë në zotërim të Eduart Dautit, i cili është shpallur në kërkim.
Njoftimi i policisë:
Vijon operacioni policor i koduar “Rada”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën trafikimit të lëndëve narkotike.
Në kuadër të operacionit “Rada” të nisur më datë 13.07.2021, në Portin e Durrësit, ku nga Task Forca permanente e përbërë nga Policia Kufitare, strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe autoritetet doganore të Portit u gjetën dhe u sekuestruan 11 kg e 675 gr. lëndë narkotike kokainë, dhe veprimeve hetimore të kryera më datë 17.07.2021, ku në Port u konstatuan të hapur dy kapakë të njërit prej kontenierëve për llogari të firmës “Alba Exotic Fruit”, tjetër sasi kokaine është sekuestruar pasditen e sotme.
Në vijim të operacionit “Rada” pasditen e sotme, nga Task Forca permanente që vepron në Portin e Durrësit është ushtruar kontroll i imtësishëm në 10 kontenierë për llogari të kësaj kompanie, ku si rezultat i kontrollit të imtësishëm, në një nga kontenierët u gjetën dhe u sekuestruan 6.5 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar kokainë.
Task Forca permanente që operon në Portin e Durrësit vijon veprimet hetimore, nën drejtimin e një grupi të posaçëm prokurorësh të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës dhe të SPAK-ut.
Në nisje të operacionit, më datë 13.07.2021, është arrestuar në flagrancë shtetasi B. G., (menaxheri i firmës) dhe është shpallur në kërkim administratori i firmës, shtetasi E. D.
/Priza.al/