Mallkimi’ 100-vjeçar i shtetit Shqiptar me ‘Reforma në Drejtësi’
Në 100 vjet të ekzistencës së tij në shtetin tonë shqiptar janë kryer 9 reforma radikale në drejtësi, duke e ndjekur ky fenomen si ‘mallkim’. Këto reforma janë kryer në vitin 1913, 1921, 1924, 1925, 1945, 1991, 1998, 2004 dhe 2016.
Sfida kryesore e Shtetit të porsalindur Shqiptar në Nëntor të vitit 1912 ishte ndërtimi i kolonës së tretë, sistemit të drejtësisë. Ndërsa pushteti Legjislativ dhe Ekzekutiv ndërtohen dhe funksionojnë menjëherë, pushteti gjyqësor kërkon njohuri, energji të konsiderueshme dhe kohë të gjatë. Në një shtet të ri Policia dhe Ushtria mund të ngrihet për një natë, Gjyqësori jo. Ai kërkon një paketë të gjerë ligjore, një sistem kompleks institucionesh dhe burime njerëzore tejet të kualifikuara dhe me përvojë. Ndërsa shqiptarëve në vitin 1912 nuk u mungonin Luftëtarët, nuk mund të themi të njëjtën për intelektualët dhe specialistët e drejtësisë.
Ndërtimi i sistemit të drejtësisë ka qenë një punë titanike edhe për shtetet perëndimore. Pas errësirës mesjetare u deshën disa qindra vjet që të ndërtonin dhe konsolidonin sistemin. Megjithëse setin e ligjeve civile, penale, familjare, tregtare, etj., e kishin trashëgim nga Romakët u deshëm përpjekje pa fund për të ndërtuar një sistem gjyqësor profesional, të pavarur dhe efiçent.
Dhe pothuajse prej më shumë se 200 vjetësh në Europë dhe në SHBA është e tepërt të mendosh të ndryshosh sistemin gjyqësor, pale pastaj të veprosh. Kolonat e larta të mermerta, që simbolizojnë drejtësinë, ndërtohen një herë dhe nuk guxon kush t’i prekë. Për fat të keq nuk ka ndodhur kështu në shtetin tonë 100 vjeçar.
Baballarët e shtetit tonë e kuptonin mjaft mirë këtë fakt ndaj që në zanafillë njëkohësisht me çdo institucion tjetër filluan ndërtimin e sistemit të drejtësisë. Vetëm disa muaj pas pavarësisë nxorën Kanunin e Jurisë si guri i parë i themelit të sistemit tonë gjyqësor. Dhe për t’u larguar sa të mundnin nga tradita orientale, i hodhën sytë përtej Paqësorit. Pavarësisht dëshirës, shteti i porsalindur, drobitur dhe i pakonsoliduar deri në vitin 1921 nuk mundi të ndërtonte një sistem drejtësie. Akti i parë për sistemin e plotë dhe modern të drejtësisë ishte Statuti Themeltar i Kongresit të Lushnjës që parashikoi në mënyrë të detajuar sistemin e Drejtësisë në Shqipëri, i cili filloi të zbatohej në praktikë.
Por nuk ishte e thënë që mbi këto themele të ndërtoheshin ngrehina dhe kolonat e sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Në qershor të vitit 1924 qeverisë që erdhi në pushtet – me të ashtuquajturin revolucion demokratik borgjez me në krye Fan Nolin – nuk i mjaftoi sistemi i drejtësisë për të dënuar kundërshtarët e tij. Një nga aktet e para që ndërmori ishte një ‘reformë në sistemin gjyqësor’ që ngriti të parën Gjykatë Speciale në Shqipëri, me të vetmin qëllim ndjekjen dhe dënimin e kundërshtarëve të tij politikë. Vetëm 6 muaj jetë pati qeveria revolucionare dhe forcat kundërshtare e rrëzuan. Edhe pasardhësi, Ahmet Zogu, që erdhi në pushtet, njëlloj si paraardhësi, ndër të parat veprime ndërmori një ‘reformë në sistemin gjyqësor’ duke ngritur një Gjykatë Speciale, me të vetmin qëllim ndjekjen dhe dënimin e kundërshtarëve politikë. Në mënyrë të habitshme ‘reformat në drejtësi’ do të shndërroheshin në mallkim për shtetin tonë. Ndërkohë që në Europë dhe në Amerikë gjatë 200 vjetëve të fundit ishin bërë revolucione, ishin përmbysur mbretëri dhe republika, ishte hequr skllavëria dhe ndërruar sisteme politike por nuk kishte guxuar kush të prekte sistemin gjyqësor.
Në vitin 1925-1945 Shqipëria me mund dhe sakrifica ia doli të ndërtonte një sistem drejtësie modern dhe të afërt me standardet perëndimore. U krijua një legjislacion i plotë, marrë kryesisht nga Franca, vend promotor i zhvillimeve politike dhe juridike në Europë, si dhe u krijua një sistem gjyqësor i shtrirë në çdo cep të Shqipërisë. U dërguan të rinj për shkollim në shkollat e drejtësisë më të mira të Francës, Italisë dhe Anglisë dhe sistemi gjyqësor në Shqipëri po plotësohej me juristë që nga formimi profesional nuk dallonin me vendet Europiane. Sistemi i brendshëm gjyqësor po funksiononte dhe Shqipëria po krijonte jurisprudencën e saj. Edhe sot pas 80-90 vitesh, vendimet e gjykatave shqiptare vetëm u përafrohen vendimeve gjyqësore të atyre viteve.
Por ‘mallkimi’ nuk do të vononte. Përpjekjet për të ndërtuar një sistem drejtësie profesional dhe efiçent u shkatërruan plotësisht me ardhjen e komunizmit. Veprimi i parë i shtetit komunist ishte ‘reformë e thellë në drejtësi’. Gjyqtarët dhe Prokurorët e shkolluar në Sorbonë, La Sapienza, Oxford, etj., u zëvendësuan me gjyqtarë dhe prokurorë që vinin nga radhët e partizanëve. Gjyqtarët dhe Prokurorët me doktoratura dhe eksperiencë u zëvendësuan me gjyqtarë dhe prokurorë prej kurseve disajavore.
Dhe ndodhi ajo që pritej. Kjo ‘Reformë madhore dhe e thellë në drejtësi’ solli shkatërrimin e plotë të sistemit të drejtësisë në Shqipëri duke e kthyer vendin tonë në të vetmin në botë pa gjykata, prokurorë dhe avokatë. Natyrisht sistemi i drejtësisë nuk mund të ishte ndryshe nga çdo qelizë tjetër e shtetit që u shkatërrua plotësisht, por megjithëse tingëllon cinike ‘mallkimi’ i ‘reformave në drejtësi’ vazhdon.
Megjithëse të fundit edhe ne dolëm nga errësira e gjatë e tunelit komunist. Nga veprimet e para të shtetit të ri demokratik ishte ndryshimet kushtetuese që do rihapnin rrugën e ndërtimit të një shteti ku respektimi i të drejtave dhe lirive të njeriut përbënte gurin e themelit së bashku me lirinë ekonomike. Edhe sistemi i drejtësisë u reformua, pavarësisht se nuk u cënua në thelb mënyra e organizimit dhe funksionimit të tij. Në vitin 1994 nëpërmjet një ‘reforme në drejtësi’ të veçantë u futën në sistem gjyqtarë dhe prokurorë vetëm pasi bënë një kurs formimi profesional prej 6 muajsh, ‘kursi I plepave’. Rishfaqet ‘mallkimi’ i ‘reformave në drejtësi’.
Reforma më e thellë në drejtësi, pas vitit 1990, i përket Kushtetutës të vitit 1998. Ajo parashikoi një sistem modern dhe cilësor të drejtësisë në Shqipëri duke asimiluar arritjet dhe përvojat më të mira perëndimore. U krye me ndihmën dhe ekspertizën më të mirë të vendeve të Europës Perëndimore dhe SHBA. Dhe në Shqipëri filloi të ndërtohej një sistem drejtësie i cili garantonte zbatimin e parimeve të rëndësishëm të pavarësisë, paanshmërisë, efiçencës dhe profesionalizmit. Për këtë me ndihmën e plotë dhe nën kujdesin e Këshillit të Evropës u krijua dhe Shkolla e Magjistraturës si institucioni që do të përgatiste Gjyqtarët dhe Prokurorët e ardhshëm.
Gjatë 15 vjetëve në vazhdim u punua nga ne shqiptarët dhe partnerët tanë të Bashkimit Evropian dhe SHBA për ndërtimin dhe konsolidimin e sistemit të drejtësisë. Dhe rezultatet nuk kanë munguar. Gjykatat dhe Prokuroritë në Shqipëri dhe në veçanti Gjykata dhe Prokuroria për Krime të Rënda krijuan dhe konsoliduan profilin e një sistemi gjyqësor në një shtet demokratik që ushtronte funksionet e saj por dhe që respektonte liritë dhe të drejtat e njeriut. Shqipëria edhe falë grave e burrave, vajzave dhe djemve gjyqtarë dhe prokurorë, përfundimisht pas 500 vjetësh, u shkëput nga orienti dhe u bë anëtar i NATO-s dhe shqiptarët fizikisht u bënë pjesë e Europës pasi për herë të parë mund të udhëtonin të lirë në çdo cep të saj.
Por natyrisht edhe drejtësia ishte pjesë e sistemit politik, ekonomik dhe shoqëror të Shqipërisë. Ndërkohë që shoqëria jonë vuante dhe vuan nga shumë plagë politike, ekonomike, sociale, shoqërore, etj., të trashëguara prej qindra vjetësh, nuk mund të pretendohej që drejtësia të ishte paprekur nga këto probleme. Dhe së bashku me shoqërinë edhe sistemi i drejtësisë duhej të kurohej e të shërohej me qëllim që kolonat e tij të bëheshin më të forta. Ndërrohet pushteti politik në vitin 2013 dhe befas drejtësia bëhet burimi i të gjitha të këqijave në Shqipëri. Kriminaliteti, prapambetja ekonomike, mosanëtarësimi në Bashkimin Evropian kishin një arsye: sistemin e kalbur të drejtësisë.
Dhe ‘mallkimi’ 100-vjeçar nuk mund të harronte. Duhej ‘reformë radikale në drejtësi’. Dhe duhet gjetur një arsye për shpresë dhe sukses. Kështu ‘mallkimi’ shndërrohet në shpresë ‘Sistemi i kalbur’ i drejtësisë duhet të ribëhet nga para. Kolonat duhen hedhur në tokë. Duhen themele te reja. Pema duhet shkulur dhe duhet mbjellë e re. Dhe filloi puna. Duheshin arkitektë, inxhinierë, teknikë, punëtorë e çfarë tjetër. Kemi ne por ka disa edhe Europa dhe SHBA. Duhen ngritur ‘gjykata për të gjykuar gjykatat’. Po a kemi gjyqtarë për të gykuar gjyqtarët? Edhe në s’kemi, i gjejmë! Pa pandehur persona që në kushte normale, (pa ‘mallkimin e reformës’) edhe në ëndrrat më të bukura as do të kishin menduar për të qenë Gjyqtarë apo Prokurorë papritur e gjejnë veten anëtarë të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, të Kolegjit të Pavarur të Apelimit, apo të Gjykatës Kushtetuese. Dhe fillon puna për shkatërrim-ndërtimin e sistemit të drejtësisë. Kolonat duhen hedhur plotësisht në tokë por edhe duhen mbajtur disa se na fiket plotësisht motori i shtetit. Dhe po u fik vështirë se ndizet më. Prishim, mermetojmë, ndërtojmë, lyejmë me bojë, ndërrojmë tjegullat dhe s’po kuptojmë çfarë ngrehine po ndërtojmë. Kolonat nuk duken gjëkundi. Ndoshta arkitektët dhe inxhinierët nuk kanë punuar aq mirë sa duhet ose sa ne prisnim.
5 vjet pas ‘mallkimit të fundit’ na ndjek përsëri ‘mallkimi’. Vetëm para 2 muajsh bëmë një ‘reformë të re’, rireformuam të gjitha Kodet që i reformuam në vitin 2017. Po mendojmë për një rireformë tjetër (‘mallkim tjetër’) pasi reformën’ (mallkimin) e vitit 2016 nuk e kemi bërë si duhet. Paskemi parashikuar shumë institucione e nuk kemi specialistë për të gjitha, procedurat qenkan të koklavitura, afatet të shkurtra etj., etj.. Dhe mallkimi 100-vjeçar i shtetit Shqiptar me ‘reforma në drejtësi’
/Nga Besnik Muçi /