Një kafe me Princ Lekën/ Flutura Açka: Çfarë Shqipërie do të ishte po të kishim fatin e politikanëve si ai?

Shkrimtarja e njohur shiqptare si dhe deputetja e zgjedhur e Partisë Demokratike, Flutura Açka ka treguar se ka takuar princ Leka Zogun ku ka shkëmbyer disa biseda që e kanë frymëzuar.

Teksa ka publikuar një foto në rrjetet sociale, Flutura Açka thotë se ‘princi është një patriot i madh që i dhemb atdheu’. Më tej Açka shkruan se: ‘kafen me të e piva edhe në kujtim të tim gjyshi, i cili ka shërbyer në gardën e Mbretit Zog’.

‘Një kafe me Princ Lekën! Djaloshi i hijshëm, i qetë, i mençur e me një politesë të pazakontë, të cilin e kam njohur shumë vite më parë, është sot një burrë i matur, dhe padyshim, një patriot që i dhemb Atdheu.

Me Princ Lekën mund të flasësh për të gjitha temat, pasi është përbashkues dhe jo ndarës, është i tërhequr dhe jo sulmues, është i dijshëm por jo akaparues i bisedës, pra gjithçka të asaj që do të admiroja te një figurë që ka vendosur të rrijë përtej palëve.

Bindja ime e parë, asaj dite kur e kam njohur, dhe lutja se çfarë Shqipërie do të ishte po të kishim fatin e një shpure politikanësh si ai, nuk ka ndryshuar. Këtë herë, edhe pse nuk ia thashë, kafen me të e piva edhe në kujtim të tim gjyshi, i cili ka shërbyer në gardën e Mbretit Zog, dhe megjithëse kam qenë shumë e vogël për t’i ngulitur siç duhej në mendje, rrëfimet e tij më kanë mbetur shumë të çmuara.

Në mëngjesin tonë, ishim edhe në shoqërinë e një prej zonjave që e çmoj shumë mes radhës së demokratëve, poetja Lindita Doda”, shkruan Açka.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *