Pavarësisht se fitonte 2 miliardë dollarë në muaj me kartelin ballkanas, ‘Jimmy’ nuk kishte makina apo celularë. Ai jetonte me qira, pretendonte se ishte inxhinier dhe udhëtonte vetëm me linjat ajrore dhe automjetet e shërbimit publik.
Për rreth shtatë vite, shtetasi shqiptar Agim Cerma jetoi në Kolumbi dhe zgjodhi të bënte një jetesë modeste në mënyrë që autoritetet të mos zbulonin se me çfarë merrej ai në të vërtetë, dhe të mos dinin asgjë për lidhjen e organizatës kriminale europiane me ‘Clan del Golfo’ dhe disidentët e Farc.
Në vitin 2014, Jimmy shkoi në Kolumbi së bashku me gruan dhe djalin. Ai mori me qira një shtëpi në veri të Barranquilla-s dhe prej aty filloi rrjetin e tij kriminal. Sipas hetimeve, ‘La Arenosa’ i dukej atij dhe bandës si vendi ideal pasi afërsia me portet kryesore i lehtësonin transportin e kokainës në SHBA dhe vendet europiane me anije.
Për të mos përmendur që në brendësi të Kolumbisë, saktësisht në departamentin e Valle del Cauca, ‘Jimmy’, me sa duket, koordinonte fluturimet charter për transportin e lëndës narkotike.
Kërkesa e lartë
Dërgesat shtoheshin gjithnjë e më shumë dhe Cermës i duhej të mendonte si do të fuste në Kolumbi paratë nga shitja e kokainës. Hetimet zbuluan se paratë lëviznin përmes ndërmjetësve financiarë, të njohur ndryshe si ‘brokers’.
Nga këto fitime, pak nga pak lidhja midis grupeve kriminale kolumbiane dhe kartelit ballkanas u bë më e fortë dhe Jimmy duke qenë investitori kryesor në këtë veprimtari ilegale, duhej të rriste sasinë e produktit. Investigimi zbuloi se ai kishte korruptuar disa zyrtarë të lartë për të bërë të mundur lehtësimin e dërgesave të drogës.
Logjistika kriminale
Gjatë hetimit u zbulua se ai përdorte Aeroportin Ndërkombëtar Alfonso Bonilla Aragón, në komunën e Palmira, Valle del Cauca, dhe bashkëpunonte me disa zyrtarë civilë që punonin atje.
Agim Cerma u arrestua në qytetin e Montería ndërsa po udhëtonte nga Barranquilla në Urabá, ku ai pretendohej se do të binte dakord me ‘Clan del Golfo’ për të dërguar një dërgesë droge në modalitetin e skafeve. Informatorët treguan se droga do të vinte nga fshatrat Zapata dhe Uveros.
Ai e kaloi natën në një hotel modest në Montería dhe donte të merrte transportin publik në Apartadó. Në mëngjes ai u kap nga agjentët në terminalin e transportit të qytetit të lartpërmendur.
Në atë kohë, Gjeneral Majori Herman Alejandro Bustamante, Drejtori i Anti-Narkotikëve në Polici, tha se “kapja për qëllime ekstradimi të pesë anëtarëve të një organizate kriminale ndërkombëtare kushtuar trafikimit të narkotikëve, veçanërisht hidrokloridit të kokainës, është arritur. Kjo organizatë kriminale drejtohej nga Z. Agim Cerma, me kombësi shqiptare, dhe njihej me pseudonimin Jimy, i cili kërkohet nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara për krimin e trafikut të drogës. Njeriu i arrestuar ka një rekord penal për vrasje në Shqipëri. Gjithashtu në Hollandë, ku u kap për trafik droge”. Gjatë bastisjeve, Drejtoria Kundër Narkotikëve kapi 1,500 milion pesos dhe 332 kilogramë klorhidrat kokaine nga organizata, me vlerë rreth 17 milion euro.
/Përshtati:Priza.al/Burimi: ElHeraldo