“Kruajuni po ua mbajti”! Ky duket se ishte mesazhi i stërvitjes së sotme dhe i demonstrimit të forcës së Flotës Ruse të Balltikut, që u reshtua sot përpara Presidentit të Federatës Ruse, Vladimir Putin.
Ky i fundit do të deklaronte gjatë kësaj parade se, Marina Ruse është e aftë dhe e gatshme gjithashtu që të sulmojë në mënyrë vdekjeprurëse armiqtë e saj. “The MoscowTimes” shkruan se, Putin gjatë një parade të anijeve luftarake të mbajtur ditën e sotme në portin e Shën Petersburg-ut, bëri disa deklarata që ishin më shumë si mesazhe për shtetet e tjera.
Mburrja e udhëheqësit rus vjen disa ditë pasi zyrtarët ushtarakë njoftuan testet e armëve të reja të përparuara, disa prej të cilave vijnë nga një arsenal që Putini i ka përshkruar si “të pamposhtur”.
Putini tha se, Rusia kishte siguruar vendin e saj midis fuqive kryesore detare në botë, duke përfshirë edhe zhvillimin e armëve të fundit me precizion hipersonik ende të pakonkurrueshëm në botë.
“Flota Detare Ruse sot ka gjithçka që i nevojitet për të garantuar mbrojtjen e vendit tonë dhe interesave tona kombëtare. Ne mund të zbulojmë armiq nënujorë, sipërfaqësorë ose ajrorë dhe t’i vëmë në shënjestër nëse është e nevojshme”,- tha Putini.
Shtetet e Bashkuara, Kina, Franca dhe fuqitë e tjera të mëdha, kanë njoftuar planet për të zhvilluar armët e tyre hipersonike dhe pritet që së shpejti të arrijnë hapat e tyre.
Me arsenalin më të madh të armëve bërthamore në botë dhe një depo të madhe raketash balistike, Rusia tashmë ka më shumë kapacitet ushtarak për të parandaluar armiqtë e saj, sipas kreut të Kremlinit.
/Burimi: The MoscowTimes/Përshtati: Priza.al/