Një rast korrupsioni është goditur në pikën kufitare të Kapshticës, ku një 26-vjeçar banues në Elbasan kishte futur në pasaportë 20 euro për policinë. K.D, kishte kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin dhe kërkonte të futej në Shqipëri duke shmangur kontrollin e dokumentacionit.
Ai është shoqëruar menjëherë në komisariat për veprimet e mëtejshme.
Njoftimi i policisë:
Goditet një tjetër rast i korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike. Punonjësit e Policisë Kufitare në Pikën e Kalimit Kufitar Kapshticë, gjatë kryerjes së procedurave të regjistrimit të shtetasve që kalojnë kufirin, kanë goditur një rast të korrupsionit. Shtetasi K. D., 26 vjeç, banues në fshatin Labinot, Elbasan, gjatë kryerjes së procedurave të regjistrimit në hyrje të Republikës së Shqipërisë, në momentin kur punonjësi i Policisë i ka kërkuar pasaportën, ai ia ka dhënë atë, me një kartëmonedhë të prerjes 20 euro në brendësi të saj, me qëllim përshpejtimin dhe shmangien e procedurave të kontrollit të dokumentacionit për kalimin drejt tokës shqiptare, pasi kishte kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme. Specialistët për Hetimin e Krimit Financiar-Ekonomik pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, kanë shoqëruar 26-vjeçarin K. D., për veprime të mëtejshme.
/Priza.al/