Rama nuk ia përton Metës: Vajzat e shqiptarëve duhen ruajtur nga Saliu e Likja

Kryeministri Rama ka reaguar pas akuzave të kryedemokratit Basha për sjellje arrogante ndaj grave dhe vajzave. Me anë të një postimi në llogarinë e tij në ‘Twitter’, kreu i qeverisë tha se vajzat e shqiptarëve duhen ruajtur nga Sali Berisha e Ilir Meta.

“Lulëzim ofendimi, shpifja, harbutëria nuk ka gjini, është e pajustifikueshme pavarësisht nga gjinia e autorit! Kurse ti king vajzat e shqiptarëve ruaji nga Saliu, Likja e tërë harbutët e tu që lemerisin dynjanë kur hapin gojën dhe lëri montazhet prej skuthi!”, ka shkruar Rama.

Reagimi i kryeministrit ka ardhur pas videos së publikuar nga Basha në Facebook, ku duken reagimet e Ramës në disa shfaqje televizive.

“Imagjinoni një vajzë të vogël që kërkon frymëzim, me shpresën se një ditë do të jetë si modelet që ndjek. Tani imagjinoni si ndihet kur sheh gratë që sulmohen me arrogancë… Kur përqeshen… Kur ofendohen… Kur diskriminohen… Vetëm sepse bëjnë punën e tyre! Imagjinoni sikur ajo të ishte vajza juaj… Ky është mesazhi për të cilin ka nevojë? Vajza juaj po dëgjon dhe vota jote në 25 prill, mund të përcaktojë një tjetër model. Voto për ndryshimin!”, ishte shkrimi me të cilën shoqëroi videon Basha.

Por presidenti Meta nuk e ka lënë me kaq deklaratën e kryeministrit. Gjatë një komunikimi me gazetarët sot, kreu i shtetit ka ironizuar gjestin e pak ditëve më parë, kur Rama shtyu një gazetare e cila ishte pa maskë.

“Nuk është ankuar ndonjë gazetare për prekje me dorë nga Ilir Meta. Jo vetëm kaq, përkundrazi ju e dini sesa i durueshëm, i respektueshëm kam qenë me të gjithë ju (gazetarët), dhe ju e dini se kush bën presione ndaj gjithë gazetarëve, të cilët të bëjnë pyetje që nuk kanë kaluar nga zyra e propagandës përballë. Kemi vend për përmirësim në lidhje me sjelljen ndaj grave, vajzave, nënave dhe do të bëjmë më të mirën në këtë drejtim, por kur rekomandime të tilla vijnë nga një person që dihet sesi është sjellë me to, mendoj që është diçka qesharake dhe është përpjekje për të spostuar vëmendjen nga plani i vërtetë, që është ai për të vënë dorë sërish mbi zgjedhjet”, deklaroi Meta.

TAGGED:
Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *