25 prilli/ Meta: Peshkaqenët e dosjeve të Dibrës dhe Shijakut, në listën e kandidatëve për deputetë

Kreu i Shtetit, në një prononcim për mediat i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama në lidhje me akuzat e bërë nga ky i fundit se Meta po përpiqet të kapë Reformën në Drejtësi. Presidenti mori shembull rastin e incidentit mes Bashkisë së Tiranës dhe FRD-së, ndërsa u ndal edhe tek dosjet për vjedhjet e votave.

Më herët ai është shprehur se dosja e Dibrës dhe e Shijakut mbajtën peng vendin për 8 vite. Sipas tij, ‘peshkaqenët’ që ishin në dosje, janë akoma në listat e kandidatëve për deputetë. Edhe një herë tjetër, Meta u ka bëri thirrje institucioneve të drejtësisë që të garantojnë një proces zgjedhor të rregullt, dhe mos prekje të votës.

“Si mund të jetë më e kapur se sa është Reforma në Drejtësi? Ka ndonjë për ndjekje penale, për atë që ka ndodhur? Kush i del për zot letrave bakalle pa firmë, pa vulë. Ju e patë si u katandisën, dosjen e Dibrës dhe Shijakut.

Nga ‘peshkaqenët’ që ishin aty, të cilët janë akoma në listat për deputetë, kaloi te disa cironka. Është njësoj si me çështjen e drogës. Në vend që të vihen para përgjegjësisë ata që pastrojnë lekët e trafikut të drogës, nëpër burgje keni ata që janë kapur me 2-3 gram kanabis”, tha Meta.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *