‘Nuk mund të presim BE-në…’/ Nuk ka më ‘Mini-Shengen’! ‘Open Balkan’ do të jetë nisma që ka bërë bashkë Ramën, Vuçiçin dhe Zaevin    

Nuk do të quhet më “Mini-Shengeni Ballkanik”, por thjesht “Open Balkan”. Kështu është emërtuar nisma e tre krerëve të shteteve që synojnë mes tyre heqjen e barjerave kufitare mes tyre në vitet në vijim, duke imituar hapësirën e BE-së.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, tha se projekti i “Mini-Shengenit Ballkanik”, që synon bashkimin në një treg të përbashkët të vendeve të Ballkanit Perëndimor, që nuk janë ende pjesë e Bashkimit Europian, siguron pikërisht 4 liritë themelore të unionit.

“Liria e lëvizjes së njerëzve, mallrave, kapitalit dhe shërbimeve. Qëllimi është të mos ketë ndalje në kufi mes Serbisë, Maqedonisë së Veriut e Shqipërisë, dhe në të ardhmen shpresojmë edhe më gjerë”,- tha Zaev në një konferencë për mediat, para nisjes së takimit me kryeministrin Rama dhe presidentin e Serbisë, Vuçiç, në kuadër të Forumit Ekonomik të Shkupit.

Zaev tha se, vendet e rajonit nuk mund të presin sa plotësohen kushtet e brendshme të Bashkimit Europian.

“Dëgjuam apelin e bizneseve të rajonit dhe nisëm hapat e eliminimit ose pakësimit të procedurave administrative. Kjo do ta bëjë Ballkanin më tërheqës si treg. Moshapja e negociatave dhe mos liberalizimi i vizave në Kosovë, është kundër parimeve të vetë BE.

Prandaj ne nuk mund të presim të zgjidhen problemet e brendshme të BE. Ne do të presim kur BE të jetë gati, por duke pasur nismat tona të përbashkëta ekonomike”,- tha Zaev.

Zaev e ka ftuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe liderët e tjerë të Ballkanit Perëndimor, që t’i bashkohen nismës.

Ndërkohë u zyrtarizua që emri i ri i Shengenit ballkanik do të jetë “Open Balkan”.

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, ka dhënë një datë për shkrirjen e kufijve mes vendeve që janë pjesë e iniciativës së “Shengenit Ballkanik”. Nga Maqedonia e Veriut ku po mbahet Forumin Ekonomik “Ballkani i Hapur”, Vuçiç ka folur për projektet dhe për të parë drejt së ardhmes në të mirë të qytetarëve.

Ai e ka nisur fjalën duke përshëndetur mikpritësin, kryeministrin e Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, ndërsa kryeministrit shqiptar Edi Rama, i është drejtuar si një mik i dashur.

Ai tha se, nëse këto projekte zbatohen më 1 janar 2023, nuk do ketë kufij mes vendeve dhe se nga Beogradi për në Tiranë, askush nuk do i ndalë qytetarët.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *