Mungojnë sërish Adriatik Llalla dhe avokati i tij, kur do të mbahet seanca e radhës

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka shtyrë sërish seancën për ish-prokurorin e përgjithshëm, Adriatik Llalla.

Mësohet se seanca është shtyrë për në 9 shtator, pasi sot mungonte si ish-kryeprokurori Llalla ashtu edhe avokati i tij. Ky i fundit kishte paraqitur raport shëndetësor, me pretendimin se është sëmurë. GJKKO vendosi që në seancën e 9 shtatorit, Llalla të mbrohet nga Gentiana Qendro. Avokatit i Llallës, Sokol Hazizaj mungoi edhe në seancën e kaluar të 16 korrikut, ndërsa për këtë ai u gjobit me 20 mijë lekë për shkak se mungoi pa arsye.

Ish-Kryeprokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, ka ankimuar dënimin me 2 vite burg në Shkallë të Parë për akuzën e fshehjes së pasurisë në 3 raste. Gjykata urdhëroi kërkesën për konfiskim të gati 22 mijë metrave katrorë truall dhe një apartamenti në Durrës dhe aprovoi si dënim shtesë edhe mohimin për të marrë funksione publike për pesë vite.

Ish-kryeprokurori u shpall fajtor nga GJKKO për fshehjen e shpenzimeve për familjarët e tij në Gjermani në vlerën e 7050 eurove, fshehjen e shpenzimeve për lindjen e djalit në Amerikë në vlerën e 7700 dollarëve si dhe shpenzimet për ndërtimin e katit të 3 të banesës së tij.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *