Operacioni i dy ditëve më parë u bë estradë në sytë e publikut pasi krimineli e bëri për ujë të ‘ftohtë ’policinë duke u larguar nga vendngjarja me shpejtësi ‘skëterrë’. Për të justifikuar paaftësinë e tyre, policia ia hodhin fajin një gazetari i cili ishte në krye të detyrës. Për dështimin e operacionit dhe teksa askush nuk flet për 100 mijë eurot e zhdukura, policia ia faturon fajin gazetarit Ergys Gjonçaj.
Bazuar në dosjen e Prokurorisë, Policia nuk përmend fare një dorëzim të kontrolluar me agjentin e infiltruar, ku për kokainën do të jepej sasia e 100 mijë eurove. Po ashtu nga dosja është zbuluar edhe emri i personit të shpallur në kërkim, për të cilin nga Policia u kufizuan informacionet. Bëhet fjalë për Eduart Perhatin alias Skënderi, 33 vjeç. Ky i fundit dyshohet se mori sasinë e lëndës narkotike dhe u largua.
Por si ka nisur aksioni dhe lëvizjes që fundosën grupin?
Pas informacioneve se në zonë shpërndahej kokainë nga një piceri, efektivët zbritën në terren. Në datën 27 korrik 2021, kanë parë Gentian Koren dhe tre persona të tjerë të paidentifikuar që hynin dhe dilnin nga dyqani i pikës së makinave me qira të biznesmenit. Në një moment, pasi hynë këta persona në dyqanin e pikës së dhënies së mjeteve me qira, vjen dhe një makinë tip autoveturë e markës “Volsvagen”, nga e cila zbret një djalë me dy kuti picash në dorë. Duke pasur dyshime se djali me kuti picash mund të kishte sjellë lëndën narkotike, është vendosur ndërhyrja në këtë ambjent me qëllim kapjen në flagrancë të gjithë këtyre personave sëbashku me lëndën narkotike.
“…sapo jemi afruar për të hyrë në dyqanin e pikës për dhënie mjetesh me qira, me jelek me mbishkrim “…policia…”, janë larguar me vrap të gjithë personat që ndodheshin aty dhe konkretisht te dera e dyqanit është bllokuar Gentian Kore. Pak metra më larg, ku ishte automjeti tip “Volvo” me targë DO XC 500, janë bllokuar Altin Gega dhe Erjon Prengaj, dhe të hedhur tek dera makinës “Volvo” kemi konstatuar dhe një telefon të markës “Iphone”,”-thonë efektivët e policisë. Më pas, rezultoi se djali me kutitë e picave dhe Taulant Çoku. Ky i fundit është bllokuar direkt nga shërbimet e policisë. Djali me kutitë e picave është futur mes pallateve në rrugën “Gjolek Kokona”, dhe pranë një klinikë dentare ky shtetas ka hedhur poshtë një makine të parkuar dy kutitë e picave dhe është larguar me vrap, duke i shpëtuar kapjes së policisë.
SKENA ME BENZ-in
Punonjësit e policisë i kanë bërë shenjë ndalimi një mjeti për ta verifikuar nëse personi në mjet kishte ndonjë lidhje me ngjarjen. Por nuk ka pasur rezultat. Gazmir Cani i ka dhënë gaz mjetit duke rrezikuar jetën punonjësve të policisë dhe në rrugën e “Oxhakut”, rreth 200-300 metra më tutje, në ndjekje e sipër, është kapur. Pikërisht në këtë moment është shfaqur edhe gazetari që është bërë alibi për efektivët.
“…në momentin e ndërhyrjes para dyqanit të pikës së mjeteve është parë një person, duke filmuar me telefon në dorë, në këtë moment nga shërbimet e policisë duke mos qënë e qartë se çfarë po kërkonte ky person. I është kërkuar të largohej, por ai ka vazhduar të filmojë duke u afruar më shumë dhe është bërë pengesë e punonjësve të policisë gjatë zhvillimit të operacionit. Në këto rrethana punonjësit e policisë kanë bërë bllokimin e tij dhe në moment e kanë shtrirë në tokë për ta prangosur dhe ka thënë se ishte gazetar. Pas paraqitjes së dokumentit (bejxhit), të cilin e ka marrë tek makina, është identifikuar si gazetar me emrin Ergys Gjencaj dhe është lënë i lirë…”-thonë policët.
ASKUSH NUK FLET
Të gjithë të arrestuarit janë marrë në pyetje por askush nuk flet, duke u munduar të blejnë kohë duke përdorur frazën: Do flasin në një moment të dytë. Vetëm Taulant Çoku tha se ishte gjendur në ambientet e dyqanit në momentin e gabuar dhe se nuk ka lidhje me shitblerjen e lëndëve narkotike. Në pyetje është marrë dhe Erjon Prenga, i cili nuk ka pranuar të japë shpjegime për këtë ngjarje.
Në operacionin e koduar “Xhamlliku” u prangosën 5 persona, ndërsa një u shpall në kërkim. Në pranga përfunduan: Gentian Kore, Altin Gega, Taulant Çuku, Gazmir Cani dhe Erjon Prenga. Ndërsa në kërkim është Eduart Prenga/Skënderi. Përveç Canit, të gjithë të tjerët akuzohen për trafik të lëndëvë narkotike.
/Priza.al/