Tre anëtarët e trupit gjykues të kryeprokurores së Tiranës Elisabeta Imeraj, janë përplasur me vëzhguesin ndërkombëtar të ONM, Teo Jacobs.
Përmes një letre drejtuar kryetares së KPK, tre anëtarët Olsi Komici, Roland Ilia si dhe Suela Zhegu, shkruajnë se dënojnë sjelljen e vëzhguesit Jacobs në seancën dëgjimore gjatë procesit të vettingut, ku pati debate të forta mes tij dhe drejtueses së prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj.
Gjatë kësaj seance, e cila zgjati për rreth 8 orë, Jacobs ngriti dyshime se Imeraj ka përgjuar dhe vëzhguar kolegun e tij, Hans Kijlstra tashmë të larguar nga ONM.
Në përfundim, tre anëtarët e trupës gjykuese të drejtueses së prokurorisë së Tiranës Elisabeta Imeraj, shprehin besimin se raste të tilla që sipas tyre, dëmtojnë procesin e rivlerësimit si dhe bashkëpunimin me ONM-së të mos përsëriten më.
PJESË NGA DEKLARATA:
Trupi gjykues i subjektit Elizabeta Imeraj është shortuar me 17 Shtator 2018. Seanca dëgjimore për këtë subjekt u zhvillua me datën 24.3.2021 ndërsa deliberation u mbyll me datën 25.3.2021.
Në lidhje me organizimin e deliberation ne si trup vëmë ne dukje faktin që gjatë gjithë procedurës në fjalë jemi ndjerë të keqardhur dhe të ofenduar nga sjellja jo profesionale, fyese dhe paragjykuese si dhe në tejkalim të çdo kompetence nga vëzhguesi ndërkombëtar.
Qëndrimi paragjykues, fyerjet e shpeshta na kanë bërë që të ndihemi jo komod dhe nën presion. Me qëndrimin e tij dhe presionin e ushtruar vëzhguesi në mënyrë të përsëritur ka dashur qartazi të influencojë vendimmarrjen.
Kjo sjellje bie ndesh me frymën e deritanishme të bashkëpunimit midis Komisionit dhe Operacionit Ndërkombetar të Monitorimit. Duam të besojmë se ky është një rast i izoluar dhe në asnjë mënyrë një tendencë për intimidim trupi për shkaqe të panjohura. Shprehim besimin e plotë qe raste të tilla që demtojnë procesin e rivlerësimit si dhe bashkëpunimin me ONM të mos përsëriten më.
/Priza.al/