Banorët e zonës së Kukësit janë bërë shkas për ti shpëtuar jetën një ariu të murrmë i cili prej 3 ditësh ishte zënë në kurth.
Pas njoftimit të marrë prej një banori të fshatit Xhaferaj, Kukës, në brendësi të Parkut Natyror Korab-Koritnik, mbi një ari të kapur nga një lak në afërsi të zonës ku ai banonte, menjëherë kanë ndërhyrë shoqatat e mbrojtjes së kafshëve. PPNEA, së bashku me AWRT, Four Paws Kosovë, Adzm Kukës dhe banorë të zonës, arritën të lirojnë e të mjekojnë ariun që kishte më tepër se 3 ditë i zënë në kurth.
Megjithëse terreni ishte i vështirë, grupi i punës arriti që të mjekojë plagët e gjendura në trupin e ariut, të cilat ishin krijuar nga tentativat e përsëritura për tu liruar nga kurthi ku kishte rënë. Në fund të procesit, ariu u pa nga distanca që arriti të ngrihej e të lëvizte, megjithëse plagët do të vazhdojnë ta shqetësojnë për disa kohë.
Ariu i murrmë (Ursus arctos) është një lloj që gëzon mbrojtje në nivel kombëtar e ndërkombëtar, duke u renditur në Ankesin II të Konventës së Bernës dhe në Direktivën Evropiane të Habitateve.
PPNEA i bën thirrje institucioneve përgjegjëse të hetojnë këtë rast e të vendosin para drejtësisë të gjithë ata që vendosin të tilla kurthe për kapjen e jetës së egër, e cila përbën një vepër penale që ndëshkohet me ligj.
/Burimi: PPNEA/