Ish kardinali Theodore McCarrick, i cili humbi postin pasi një hetim i Vatikanit konfirmoi se ai kishte ngacmuar seksualisht të rritur dhe fëmijë, është akuzuar për sulm seksual të një adoleshenti gjatë një dasme në vitet 1970, tregojnë dokumentet e një gjykate.
Dokumentet gjyqësore të siguruara nga gazeta The Boston Globe tregojnë se ndaj ish-kardinalit McCarrick janë ngritur tre akuza për ngacmim dhe sulm seksual të një personi mbi 14 vjeç.
McCarrick është kardinali i parë në Shtetet e Bashkuara ndaj të cilit ngriten akuza kriminale për një krim seksual ndaj një të mituri, tha Mitchell Garabedian, një avokat i njohur i viktimave të abuzimit seksual të kishës, i cili përfaqëson burrin që pretendon se është abuzuar nga McCarrick.
“Duhet një guxim i madh për një viktimë të abuzimit seksual që të raportojë se është abuzuar seksualisht tek hetuesit dhe të vazhdojë me procesin penal”, tha Garabedian në një email. “Le të paraqiten faktet, ligji të zbatohet dhe të jepet një vendim i drejtë”, shtoi ai.
Barry Coburn, avokat i zotit McCarrick, i tha agjencisë së lajmeve Associated Press se ata “po presintë trajtojnë çështjen në sallën e gjyqit”, dhe nuk pranoi të bënte komente të mëtejshme.
Një raport i paraqitur në gjykatë thotë se personi akuzues u tha hetuesve se McCarrick ishte një mik i familjes dhe filloi ta abuzonte atë kur ishte adoleshent.
Ai thotë se McCarrick e përqafoi atë kur ai ishte 16 vjeç, në vitin 1974, ndërsa ata po ecnin në kampusin e Kolegjit Wellesley, ku po mbahej festa e dasmës së vëllait të tij. McCarrick, i cili tani jeton në Mizuri, është urdhëruar të paraqitet në në një gjykatë në Masaçusets më 26 gusht.
Më 2019, Papa Françesku ia hoqi titullin e kardinalit 91 vjeçarit McCarrick, pasi një hetim i Vatikanit konfirmoi pretendimet disa dhjetëra vjeçare se ai kishte kryer sulme seksuale.
Rasti krijoi një krizë besueshmërie për kishën pasi Vatikani kishte raporte nga kardinalët në pozita të larta që datojnë nga viti 1999 se sjellja e zotit McCarrick ishte problematike, megjithatë ai u bë një kardinal me ndikim dhe emisar i “diplomacisë së butë” të Selisë së Shenjtë.
Nga mijëra klerikë katolikë të implikuar në abuzime seksuale në dekadat e fundit, McCarrick është rast i veçantë sepse pavarësisht njoftimeve për këto sjellje, ai arriti të ngjitej në mënyrë të qëndrueshme në hierarkinë udhëheqëse të kishës katolike.
Ai filloi punën si prift në qytetin e Nju Jorkut në 1958, u ngrit në postin e kryepeshkopit të Nëuorkit në Nju Xhërsi në 1986 dhe më pas atë kryepeshkopit të Uashingtonit në 2000. Ai u ngrit në rangun e kardinalit në 2001 nga Papa Gjon Pali II.
Në qershor të vitit 2018, McCarrick papritmas u bë personazhi kryesor i problemit të kishës katolike me rastet në rritje të abuzimit seksual ndërsa Papa Françesku e largoi atë nga shërbimi publik për shkak të akuzave se ai kishte sulmuar seksualisht një adoleshent ndërsa ishte prift në Nju Jork. Një panel i kishës erdhi në përfundimin se pretendimet e një burri se McCarrick e preku në mënyrë të papërshtatshme kur ishte adoleshent para meshës së Krishtlindjes në Katedralen e Shën Patrikut në 1971 dhe 1972 ishin “të besueshme dhe të mbështetura”.
Kisha gjithashtu pranoi se kishte bërë marrëveshje financiare të pazbuluara më parë me të rritur që akuzuan ish-kardinalin McCarrick për ngacmime seksuale dekada më parë. Pavarësisht këtyre njoftimeve, ai vazhdoi të ngjitej në hierarkinë udhëheqëse të kishës katolike.
/Burimi:VOA/