Në datat 30 dhe 31 korrik, ora 21.00, nga Teatri Shëtitës Çajupi, në Teatrin Veror të Universitetit të Arteve, spektatori do të ketë mundësinë të ndjekë komedinë e rrallë, “Duke edukuar Ritën”.
Kjo komedi gazmore, ironike dhe e ngrohtë fitoi Çmimin Olivier kur u prodhua në West End të Londrës nga RSC dhe u adaptua në filmin me shumë çmime, ku interpretojnë Julie Walters dhe Michael Caine.
Kur parukierja e martuar Rita( Laura Nezha) regjistrohet në një kurs universitar për të zgjeruar horizontin e saj, pak e kupton se ku do ta çojë udhëtimi. Tutori i saj Frank(Mehmet Xhelili) është një poet i zhgënjyer, akademik i shkëlqyer dhe alkoolist i përkushtuar, i cili nuk është entuziast për edukimin e Ritës, por kur këta dy njerëz bashkohen shpejt e kuptojnë se sa kanë për t’i mësuar njëri-tjetrit. Ai vjen i zgjuar, i rrjedhshëm, që e mban veten me të madhe e që të mbyt me fjalë, por qe gjendet në zbrastësinë e shpëlarë me të cilën shfaqet në fillim e që më pas bie në dashuri të thellë me studenten e tij.
Interpretimi i Laura Nezhës bëhet më i fuqishëm me zhvillimin e shfaqjes. Gjallëria e Laurës në pjesën e parë, është një prekje tepër organike. Në pjesën e dytë të shfaqjes personazhi i Laurës bëhet më i mprehtë, më i urtë e i rrumbullakosur mirë.
Drejt finales interpretimi Xhelili- Nezha bëhet gjithnjë e më shumë prekës dhe përfshirës, pa humbur asnje nga tiparet e zgjuara e me dritë të karaktereve që çifti interpreton.
/Priza.al/