Erjon Prenga, Altin Gega dhe Taulant Çoku, tre të arrestuarit gjatë operacionit anti-drogë të policisë në afërsi të zonës së Varrit të Bamit, janë lënë sot në masën e sigurisë ‘arrest me burg’. Ndërkohë për Gazmir Canin, i riu i cili i iku në mënyrë spektakolare Policisë u la në ‘arrest shtëpie’ nga Gjykata e Tiranës.
Operacioni u zhvillua më 27 korrik, ndërsa më shumë se sa rezultati i aksionit, vëmendje mori mungesa e profesionalizmit të policëve të angazhuar në operacion dhe incidenti që ata shkaktuan me gazetarin Ergys Gjençaj.
Cani u iku me Benzin e tij në mënyrë spektakolare nga duart efektivëve të policisë, e pasi nuk arritën që ta ndalonin atë, efektivët iu kthyen gazetarit Ergys Gjençaj duke e shtrirë përtokë vetëm për faktin se ai po filmonte këtë operacion. Pamjet e filmuara gjatë zhvillimit të operacionit treguan një mungese totale profesionalizmi nga forcat Operacionale të Tiranës të përfshira në operacion, të cilat nuk morën asnjë masë për të penguar makinën me trafikantin brenda saj që të largoheshin.
Ata përdorën edhe një fjalor tejet banal dhe pikërisht ky fjalor, por edhe sjellja e gabuar me gazetarin i ngarkoi ata me përgjegjësi penale dhe ndaj tyre pritet të merret masë ndëshkimi. SHÇBA ka nisur një hetim disiplinor që janë shtrirë edhe nëse ka pasur dekonspirim lidhur me këtë operacion.
Ndërkohë, si rezultat i operacionit të zhvilluar te ‘Varri i Bamit’ u sekuestruan 1.2 kg kokainë ndërsa shpërndarja e drogës kamuflohej me kuti picash. Aktiviteti kriminal zhvillohej në biznesin e Gentian Kore.
/Priza.al/