Kishte bërë kërdinë me mashtrime në radhët e amerikanëve, si dhe të shumë të tjerëve në mbarë botën, dhe kishte akumuluar një pasuri marramendëse, por kishte harruar vetëm një detaj të vogël… FBI-në.
Një “influencer” nigerian në rrjetet sociale, Ramon Abbas, i njohur si “Hushpuppi”, tani rrezikon të përballet me 20 vite burg në SHBA. CNN raportojnë se, Ramon është akuzuar për mashtrim dhe pastrim parash.
Departamenti Amerikan i Drejtësisë ka raportuar se, “influenceri” ka pranuar se ka përfituar 1 milion dollarë, shumë e cila do t’i shkonte një spitali fëmijësh në Katar.
37-vjeçari, pranoi gjithashtu pastrimin e parave “përmes llogarive bankare në të gjithë botën”.
Abbas u arrestua në Emiratet e Bashkuara Arabe në qershor të vitit të kaluar, pasi policia lokale bastisi apartamentin e tij në Dubai.
Atij iu sekuestruan plot 41 milionë dollarë, 13 makina luksoze me vlerë rreth 6.8 milionë dollarë dhe provat telefonike dhe kompjuterike që përmbajnë më shumë se 100 mijë skedarë mashtrimi dhe adresat e gati dy milion viktimave të mundshme u gjetën gjatë bastisjes.
“Hushpuppi” mburrej vazhdimisht për udhëtimet, makinat e shtrenjta, apo veshjet e luksit, të cilat kanë ardhur si pasojë e mashtrimeve që Abbas ka kryer, por tashmë njësoj si shtypja e tastave të kompjuterit, e gjithë pasuria e tij do të shkrihet në një çast… dhe veç kësaj edhe “pak burg”.
/Priza.al/