Qeveria ka vendosur që sipërfaqja e truallit ku ishte ndërtuar Teatri Kombëtar, të kalojë në pronësi të Bashkisë së Tiranës.
Vendimi është marrë një ditë më parë në Mbledhjen e Këshillit të Ministrave. Në VKM thuhet se kalon në pronësi të bashkisë së Tiranës, lloji “truall”, në zonën kadastrale 8150, Tiranë, me sipërfaqe totale 5 522.7 (pesë mijë e pesëqind e njëzet e dy pikë shtatë) m2, ku ka qenë godina e Teatrit Kombëtar, e cila tashmë nuk ekziston më si godinë.
Qeveria ka shfuqizuar vendimin e vitit 2020, që rrëzoi Gjykata Kushtetuese, me emërtimin “Teatri Kombëtar”, në zonën kadastrale 8150, Tiranë”, si i papajtueshëm me Kushtetutën. Në VKM përcaktohet qartë se Bashkisë së Tiranës i ndalohet që të ndryshojë destinacionin e pasurisë, ta tjetërsojë atë apo t’ua japë të tretëve në përdorim.
Pasi Gjykata Kushtetuese, rrëzoi vendimin e qeverisë në vitin 2020, që e kalonte pronësinë e truallit të ish-godinës sëTeatrit nga Ministria e Kulturës te Bashkia e Tiranës, qeveria hartoi një projektvendim që i kalon bashkisë tokën ku ishte teatri.
Në projektvendim thuhet se prona i kalon bashkisë, pasi Ministria e Kulturës nuk ka parashikuar fonde për ndërtimin e një teatri të ri, ndërsa nga Bashkia e Tiranës janë bërë tashmë disa veprime paraprake. Po ashtu një tjetër arsye është edhe fakti se sipërfaqja tjetër përreth teatrit, është gjithashtu në pronësi të bashkisë.
Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese vendosi të rrëzojë të gjithë bazën ligjore për ndërtimin e Teatrit të ri kombëtar, ndërsa nuk pranoi kërkesën e Presidentit Ilir Meta për shpalljen antikushtetuese të shembjes së Teatrit.
‘KALIMIN, NË PRONËSI TË BASHKISË TIRANË, TË PASURISË NR.1/241, TË LLOJIT “TRUALL”, NË ZONËN KADASTRALE 8150, TIRANË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, të shkronjës “d”, të nenit 3, dhe të neneve 5, 7, 8 e 17, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin, në pronësi të Bashkisë Tiranë, të pasurisë nr.1/241, lloji “truall”, në zonën kadastrale 8150, Tiranë, me sipërfaqe totale 5 522.7 (pesë mijë e pesëqind e njëzet e dy pikë shtatë) m2, me adresë: rruga “S. Toptani”, Tiranë, sipas kartelës së pasurisë dhe fragmentit të hartës kadastrale, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
2. Bashkisë Tiranë i ndalohet të ndryshojë destinacionin e pasurisë së përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, ta tjetërsojë atë apo t’ua japë të tretëve në përdorim.
3. Pasuria e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, i shtohet listës përfundimtare të pjesshme të pronave të paluajtshme publike shtetërore, miratuar me vendimin nr.219, datë 21.3.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës përfundimtare të pjesshme (pjesa e parë + pjesa e dytë) të pronave të paluajtshme publike shtetërore, që transferohen në pronësi ose në përdorim të njësisë administrative Tiranë, Bashkia Tiranë, të Qarkut të Tiranës”, të ndryshuar.
4. Ngarkohen Ministria e Kulturës, Bashkia Tiranë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.- thuhet në vendimin e këshillit të ministrave.
Vendimi i këshillit të Ministrave
/Priza.al/