Për shqiptarët që udhëtojnë nëpër Europë duket sikur ka një “strategji” të hartuar nga dikush që jo vetëm t’i pengojë, por edhe t’ua bëjë sa më dekurajuese lëvizjen e lirë.
Pikërisht në këto muaj të nxehtë kur e gjithë Europa ka marrë pushimet dhe turmat janë dyndur drejt destinacioneve turistike duke shpërfillur edhe pandeminë që ka mbetur vetëm në media, befas shqiptarëve u bëhet “malore” sa herë që marrin udhët drejt shteteve europiane.
Dje ka qenë Italia që pasi ka vendosur sanksione të reja ndaj shqiptarëve, me justifikimin e koronavirusit, ka nisur edhe problematikën me linjat ajrore drejt Shqipërisë.
Kaosi ka përfshirë aeroportin “Malpensa” në Milano, ku një numër prej 275 pasagjerësh, të linjës “Wizzair” e cila pritej të nisej drejt Tiranës, kanë mbetur të bllokuar në këtë aeroport.
Kanë qenë vetë pasagjerët shqiptarë që kanë denoncuar rastin pranë agjencisë së lajmeve ‘BalkanWeb’, ndërsa sqarojnë se udhëtarëve nuk iu është dhënë asnjë informacion.
Sipas tyre, mes pasagjerëve ka edhe shumë fëmijë të mitur, të cilët qëndrojnë në pritje që prej ditës së djeshme në sallat e check-in, ndërsa iu mungon edhe ushqimi. Mes të tjerash ata sqarojnë se justifikimi i parë për pezullimin e fluturimit ishte fakti që kishte furtunë.
“Linja e Milanos, Malpensa ka qysh dje qe nuk niset. 260 persona janë lënë në harresë pas sportelit të check-in, pa sqarime. Pa ushqime dhe pa ujë, vetëm në një ambient të vogël.
Askush nuk prononcohet nga stafi i aeroportit, sikur të jemi dele. Pastaj mos të flasim për COVID-in, s’ka asnjë distancë. Fëmijëve të vegjël iu dhanë nga një shishe ujë”,- u shpreh një prej pasagjerëve shqiptarë.
Nga kjo ngjarje po qarkullon edhe një video ku shihet se, si pasagjerët shqiptarë, kërkojnë të irrituar nga pritja e gjatë informacione nga stafi i aeroportit, ndërsa të pranishëm janë dhe punonjës policie.
Deri tani, qytetarët shqiptarë nuk kanë marrë asnjë përgjigje se kur do të niset avioni për në Tiranë dhe po dergjen në pritje.
/Burimi: BW/