Gushti është muaji kur pronarët e tyre marrin pushimet, vendet e punës mbyllen dhe për pasojë edhe shumë emigrantë shqiptarë jashtë vendit, kanë mundësinë për të pushuar ca kohë.
Por në një kohë kur në Europë gjërat janë “ok” në Shqipëri nisin problemet sapo emigrantët orvaten të kthehen dhe të sjellin bashkë me mallin për vendlindjen edhe paratë e tyre.
Shqipëria është një “skarco” në të gjitha kapacitetet e infrastrukturës dhe fluksi i krijuar në çdo pikë hyrëse kufitare, krijon veç kaosit dhe vapës edhe pakënaqësi dhe vendime kritike për të ardhmen.
Stina e verës, si çdo vit, sjell flukse të mëdha pushuesish shqiptarë dhe të huaj në vendin tonë. Për shkak të dyndjes, toka, ajri dhe deti kanë shfaqur probleme për udhëtarët.
Dita ka nisur me trafik në aksin Milot-Lezhë, ku është shënuar trafik kilometrik, ndërsa edhe në Vlorë e Durrës duket se gjendja nuk është më e mirë. Për të përballuar fluksin, Policia Rrugore ka nxjerrë efektivë në terren, megjithatë nuk kanë munguar as incidentet.
Edhe në portin e Durrësit për pasagjerët duket se situata nuk është më e mirë, pasi orës 11:00 mbërritën në port 2 tragete të linjës Bari-Durrës, duke zbarkuar 3906 udhëtarë dhe 807 automjete. Tragetet nga dita e enjte deri sot kanë lundruar “dopio corso”, pra kanë bërë nga 2 rrugë në 24 orë.
Edhe ajri ka shfaqur probleme, pasi pasagjerë shqiptarë kanë disa orë që presin në aeroportin e Malpensas. Fluturimin duhet ta kishin bërë që dje, por në fakt do të nisen sonte pasdite për të ardhur në atdhe. Ndërkohë që deri më tani nuk raportohet për probleme në pikat kufitare që lidhin Shqipërinë me vendet fqinje.
/Priza.al/