VIDEO/ Kriza e Fierit u ‘nxit’ për llogari të Klodian Zotos? ‘Syri TV’: Kryebashkiaku Subashi vonoi procedurat për pastrimin  

Ndotja mjedisore që u shkaktua nga djegia e plehrave në Fier ka dyshime se u krijua për përfitime të kompanisë koncesionare të Klodian Zoto për të marrë lejen mjedisore për përpunimin e të gjithë llojeve të mbetjeve, përfshire edhe ato të rrezikshme jo radioktive. Bashkia Fier ka shpallur dhe ka anuluar disa herë tenderat për pastrimin e qytetit si dhe për mjetet e transportit të mbetjeve duke vonuar problemin e menaxhimin e të mbetjeve.

Zjarri dhe tymi i plehrave që asfiksoi Fierin për rreth një javë është vetëm pjesa e dukshme e asaj që shihet si një aferë e pastër shtetërore, të lidhur me landfillin e Klodian Zotos dhe përplasjet e interesave ekonomike multi-milionëshe për menaxhimin e mbeturinave.

Kryebashkiaku i Fierit, Armando Subashi, u shfaq të dielën në fushën e mbetjeve të Mbrostarit, për herë të dytë brenda kësaj jave, nga ku shpërndau lajmin se zjarri dhe tymi tashmë ishin fashitur. Ai tha se, duke filluar nga kjo e Hënë, mbeturinat e Fierit do të depozitohen në landfillin e kompanisë koncensionare ‘Integrated Technology Treatmen Waste’, e zotëruar në shumicë nga Klodian Zoto.

Klodian Zoto – Lapsi.al

Subashi deklaroi gjithashtu se ka rënë dakord me kompaninë koncensionare që kjo e fundit të vendosë përkohësisht në dispozicion të Bashkisë mjetet e saj për transportin e mbetjeve, derisa institucioni lokal të zgjidhë së shpejti disa probleme teknike që lidhen me rrugën, pikën e transferimit të plehrave dhe makineritë.

Nga ana tjetër, kompania e Klodian Zotos deklaroi më herët gjatë javës së kaluar se ajo i ka kërkuar Bashkisë së Fierit, një herë në Maj 2020 dhe herën e dytë në Maj 2021, që të depozitojë mbetjet në landfillin e saj, pasi infrastruktura është gati. Nga deklaratat e Subashit dhe koncensionarit, krijohet përshtypja se zgjidhja ka qenë shumë e thjeshtë.

Mjafton që palët të vendosnin bashkëpunimin dhe gjithçka zgjidhej menjëherë. Por, ajo që nuk sqarohet nga palët është fakti se përse mijëra qytetarët e Fierit u detyruan të thithin tymrat toksikë për qindra orë në këtë vapë përvëluese, ndërkohë që zgjidhja ka qenë pas derës.

SYRI TV po mundohet të hedhë dritë mbi atë që duket se qëndron pas skandalit me menaxhimin e mbetjeve të Fierit. Kompania ‘Integrated Technology Waste’, e cila ka fituar kontratën 28 milionë euro për ndërtimin e landfillit dhe inceneratorit të Fierit, ka në dispozicion vetëm Lejen Mjedisore të Tipit A. Në bazë të kësaj leje, në landfill mund të përpunohen mbetje urbane jo të rrezikshme, gjë që do të thotë se nuk mund të trajtojë bateri apo pjesë të tjera teknologjike, të cilat gjenden rëndon në kontenierët e mbeturinave në qytet.

Shteti i jep miliona por inceneratori i Fierit nuk punon | Gazeta Telegraf

Në Shtator të vitit 2020, Ministria e Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit i refuzuan shoqërisë koncensionare të Klodian Zotos shtesën në leje mjedisore për përpunimin e mbetjeve të rrezikshme jo-radioaktive, për shkak se nuk plotësonte kushtet dhe kriteret e nevojshme. Çështja është ende në shqyrtim në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë në Tiranë dhe ende nuk ka marrë zgjidhje. Por, konflikti gjyqësor për shkak të mangësive të kompanisë koncesionare, shtyu në kohë nisjen nga puna të landfillit, i cili fillimisht duhet të fillonte aktivitetin në dhjetor 2019 e më pas u shty për në dhjetor 2020.

Kur ka arritur mesi i vitit 2021, landfilli i Zotos ende nuk është pajisur me lejet e nevojshme mjedisore, duke vënë në vështirësi politike edhe kryeministrin Edi Rama e ministrin e Mjedisit, Blendi Klosi, të cilët dhanë garanci të plota se kompania koncensionare do të niste nga puna në janar të këtij viti. Vonesa e kompanisë koncensionare duhet të mbulohej me diçka tjetër. Dhe, këtu duket se hyn në rolin e tij kryebashkiaku Armando Subashi. Gjatë vitit 2021, ai ka zhvilluar katër procedura tenderuese, të cilat lidhen me menaxhimin e mbetjeve dhe të gjitha i ka anuluar.

Në Janar u shpall tenderi për blerjen e makinerive teknologjike, të cilat do të transportonin mbetjet e qytetit në landfill. Procedura u anulua dhe u shpall sërish në Prill 2021.Edhe ky tender i dytë i anulua dhe në përfundim u vendos që mbeturinat do të transportohen me mjetet e bashkisë, siç deklaroi pak ditë më parë Drejtori i Ndërmarrjes së Pastrimit në Fier, Arjan Ndreu. Pra, kaluan 6 muaj me ece-jake procedurash, mesa duket në pritje të pajisjes së koncensionarit me Lejet e nevojshme mjedisore.

Blendi Klosi: Inceneratori i Fierit do t'i përfundojë punimet në dhjetor -  Gazeta Express

Në Mars 2021, Bashkia e Fierit shpalli fituesin e tenderit për ndërtimin e një pike transferimi të mbetjeve. Ky kapanon do të shërbente si qendër pritëse dhe ndarëse e mbetjeve, para se të dërgohen në landfillin e Klodian Zotos. Ky kapanon, i cili në fakt do të bëj ndarjen e mbeturinave, për të cilën përgjegjësinë e ka koncensionari, duhet të përfundonte në maj 2021. Deri më tani, ende nuk ka përfunduar dhe kjo u pranua edhe nga Subashi. Po ashtu, në Mars 2021, Bashkia e Fierit shpall, tenderin për shërbimin e pastrimit të qytetit, me fond limit rreth 2 milionë euro bashkë me TVSH.

Në 15 Korrik 2021, Subashi publikon njoftim paraprak të fituesit, i cili është ‘Kombi Invest’, një kompani me seli në Fier, e njohur për garancitë që ofroi në rehabilitimin me anën e punësimit të Sardian Sulejmanit, një të dënuari si anëtar i bandës kriminale të Durrësit. Rezultatet e këtij tenderi përkuan me deklarimet publike të deputetit Petro Koçi, i cili ngriti dyshime publike mbi mënyrën se si shpërndahen fondet publike në Fier.

Nga ana tjetër, kjo procedurë tenderuese u kundërshtua pranë Komisionit të Prokurimit Publik nga një pjesëmarrës tjetër në garë, ‘Alko Impeks’, kompani e themeluar nga deputeti socialist Sadri Abazi dhe që menaxhohet nga familjarët e tij të afërt. Në këtë situatë, Armando Subashi, duke shfrytëzuar Këshillin Bashkiak me një ngjyrë politike, vendosi anulimin e procedurës për shërbimin e pastrimit.

Mbyllen vatrat e zjarrit në fushën e mbetjeve në Fier, Subashi: Nga nesër  mbetjet i transportojmë në incenerator

Në njoftimin zyrtar për këtë anulim, nuk jepen arsyet, ndërkohë që duket mision i pamundur transparenca nga Këshilli Bashkiak i qytetit. Në faqen zyrtare të tij, nuk jepet asnjë e dhënë për vendimet. Ndërkohë, kompania e familjes së Sadri Abazit, ka dorëzuar një tjetër ankesë në KPP, ku kësaj radhe kërkon shfuqizimin e vendimit për anulimin e tenderit.

Në Korrik 2021, Bashkia e Fierit shpall tender për rikonstruksionin e rrugës që lidh qytetin me landfillin e Klodian Zotos. Pasi u ftillua që detyrimi për këtë investim ishte i kompanisë private, Armand Subashi e anuloi këtë procedurë pas tre javësh, i gjendur edhe nën trysninë mediatike. Vonesat në këtë procedurë të ndjekur nga Bashkia, ashtu si edhe në ato të kapanonit dhe mjeteve të transportit dhe shërbimit të pastrimit, i vijnë në ndihmë kompanisë koncensionare të Zotos.

Kjo e fundit shpreson të fitojë në gjykatë lejen e nevojshme për përpunimin e të gjitha llojeve të mbetjeve urbane, përfshirë ato të plehrave të rrezikshme jo-radioaktive dhe në këtë mënyrë të nisë punën që duhet ta kishte filluar që në dhjetor 2019.

/Burimi: Syri TV/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *