Një ngjarje shokuese është regjistruar në maternitetin e Pogradecit, ku mjekët shpallën të vdekur një foshnje, edhe pse ishte akoma gjallë. Ngjarja u regjistrua më 24 korrik, ku gruaja me inicialet D. Y., solli në jetë parakohe, në javën e 24 foshnjën e saj në maternitetin e Pogradecit, ndërsa në kartelë mjekët e shkruan si abort dhe jo lindje.
Foshnja u shpall e vdekur pas lindjes nga stafi mjekësor, kjo për shkak se nuk qau, ndërsa sipas familjarëve, ata e vendosën fëmijën në një kuti.
Por ka qenë i ati i foshnjës ai që pas pak orësh, pasi ka hyrë në dhomën ku po qëndronte foshnja, ka dëgjuar të qarta e saj. Foshnja u dërgua menjëherë në maternitetin në Tiranë, por nuk mundi të mbijetonte, duke ndërruar jetë më 21 korrik.
Ditën e sotme kanë filluar hetimet në gjendje të lirë për neglizhencë në mjekim Genta Shytën, mjeke në Maternitetin e Pogradecit.
E gjithë ngjarja u tregua nga babai i foshnjës në komisariat, i cili ka deklaruar në Polici se foshnja u gjet në një kuti.
Policia sekuestroi kartelën mjekësore, ndërsa mjekja Genta Shyta ka pranuar që ka qenë abort e më pas ka ndodhur një “mrekulli”, ndërkohë që ditën e sotme është dërguar dosja në prokurorinë e Pogradecit për veprime të mëtejshme
Njoftimi nga Policia e Pogradecit:
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec, filluan procedimin penal në gjendje të lirë për shtetasen G. Sh., 51 vjeçe, banuese në Tushemisht, Pogradec (me detyrë mjeke në maternitetin e qytetit të Pogradecit).
Kjo shtetase më datë 24.07.2021, dyshohet se ka neglizhuar në trajtimin e nevojshëm mjekësor pas lindjes, të foshnjës së shtetases D. Y., e cila më pas u transportua në Tiranë për mjekim të specializuar ku më datë 31.07.2021, ka ndërruar jetë.
Materialet për hetime të mëtejshme i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Pogradec.
/Priza.al/