Zjarret në Vlorë duket se tashmë kanë dalë jashtë kontrollit, të favorizuara edhe nga era, vazhdojnë të përhapen dhe të djegin gjithçka që u del përpara prej më shumë se 10 ditësh.
Reagimi nga ana i institucioneve deri më tani ka qenë i pakët, dhe i vetmi informacion ishte se helikopterët janë në remont dhe vetëm një është funksional. Por me sa duket nuk ka qenë i mjaftueshëm për të përballuar shuarjen e flakëve, sidomos në zonën e Dukatit dhe të Karaburunit të cilat paraqiten në situatë më kritike.
Prandaj, me kërkesë të ministrit të Mbrojtjes Niko Peleshi është mbledhur rreth mesnatës Komiteti i Mbrojtjes Civile për të diskutuar për situatën e krijuar ditët e fundit nga zjarret në disa zona të vendit, ku dhe është marrë vendimi që ditën e sotme të dalin për të shuar flakët tre helikopterë.
Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi e vlerësoi serioze gjendjen në gadishullin e Karaburunit, ku vatra ka marrë përmasa të rrezikshme, ndihmuar edhe nga era, e cila ndikon në përhapjen e flakëve.
Ministri i Mbrojtjes tha se është menaxhuar me sukses shmangia e prekjes së bazës së Pashalimanit, ndërsa po punohet për shuarjen e vatrës në malin e Dukatit, për të mos lejuar që flakët të kalojnë në Parkun e Llogarasë.
Në një kohë që i gjithë rajoni është përfshirë në një situatë të vështirë për shkak të temperaturave të larta, ministri i Mbrojtjes Peleshi tha se kjo vështirëson edhe ndihmën që Shqipëria mund të marrë nga partnerët e saj.
/Priza.al/