Zjarret në vend, zgjohet Haki Çako: I kemi kërkuar ndihmë fqinjëve dhe BE-së por kanë problemet e tyre!

Prej gati 2 javësh vendi, sidomos Vlora, është mbuluar nga zjarret që po djegin pasurinë tonë kombëtare, pyje dhe kullota. Shefi i Emergjencave Civile, Haki Çako deklaron se i është kërkuar ndihmë edhe fqinjëve dhe BE-së por ata kanë nevojat e tyre.

“Masat janë marrë që të gjitha, i gjithë shteti është në këmbë. Të gjitha strukturat janë të angazhuara. Është një situata që ka prekur gjithë Ballkanin.

Edhe pse kemi kontaktuar edhe më fqinjët edhe me Brukselin, ata kanë pasur nevojat e veta dhe nuk kanë mundur të na përgjigjen“,- shprehet ai.

Për kreun e Emergjencave Civile, Haki Çako, shqetësimi se ai nuk është gjendur në krye të detyrës në këtë situatë emergjencash është i pavend pasi ai ka qenë në një eveniment familjar dhe për këtë s’ka pse merr leje.

“Jemi në operacion, do të vazhdojmë me të gjitha mjetet e mundshme, me të gjithë kapacitete. Për të mos depërtuar. Kam qenë në fundjavë për një eveniment familjar, nuk mund t’i marr leje askujt përveçse Zotit dhe procedurave ligjore.  

Nuk është e vërtetë që kam 1 javë që kam humbur. Kam qenë për dy ditë në një eveniment familjar“,- tha ai.

Çako shprehet se i gjithë shteti është në këmbë dhe po bëhet gjithçka për shuarjen e zjarreve.

Sot janë në terren rreth 500 forca të armatosura bashkë me të gjitha strukturat e tjera. Helikopterët duhen futur në remont dhe kanë orët e tyre të fluturimit.  

Kemi 2 helikopterë, aktualisht njëri është në operacion ndërsa tjetri për shkak të një defekti është ende në remont.  Nuk është e mundur të fluturojnë natën.  Po bëjmë maksimumin me gjithçka dhe sot shpresojmë që ta vendosim situatën në kontroll.  

Duhet të kemi parasysh që ligji për mbrojtjen civile ka të përcaktuar qartë që duhet konsumuar të gjitha kapacitete e tjera pastaj duhen angazhuar strukturat operacionale qendrore, ku bëjnë pjesë edhe ato nga ajri.  

Nuk mundet që për çdo zjarr të rënë të vëmë në dispozicion ndërhyrjen nga ajri. Pasi bëhet vlerësimi i situatës vihet në dispozicion.  Mjeti ka qenë në dispozicion, është operuar edhe në Berat për ditë të tëra ashtu sikurse ka operuar edhe në Vlorë“,- tha shefi i Emergjencave Civile.

/Burimi: ReportTv/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *