Flakët në malet e gadishullit të Karaburunit janë në ditën e tyre të shtatë dhe të stimuluar edhe nga era e fortë dhe temperaturat e larta po dhurojnë një spektakël aspak të këndshëm që po shikohet nga qindra mijëra sy.
Por në një kohë që retë e tymit kanë nisur të duken edhe nga Italia përball, autoritetet shqiptare, janë mjaftuar këto ditë vetëm me deklarata, dalje para mediave dhe shumë pak punë për të shpëtuar hektarët me bimësi që po digjen.
Dje vetëm një helikopter i FA-së u mundua që të derdhë disa kova ujë në një prej vatrave të zjarrit pranë bazës së Pashalimanit, por edhe kjo tentativë sporadike u përdor nga agjit-propi vetëm sa për shfaqje për të mbushur faqet e Facebook-ut të titullarëve të ministrisë dhe Ministrit Peleshi.
Ky i fundit nga ana e tij, është mjaftuar vetëm me disa deklarata inkurajuese përpara mediave, në një kohë që situata në terren ka rrëzuar dhe ka nxjerrë blof gjithë retorikën e ministrit për gjoja “vënie nën kontroll të situatës”.
E ndërkohë sot kur “shfaqja” me flakët mbushi plot një javë, Ministria e Mbrojtjes, dha urdhër për një dislokim më të madh mjetesh dhe efektivësh, me premtimin se situata e zjarreve do të vihet nën kontroll.
Rreth 500 efektivë të Forcave të Armatosura, 50 mjete, 3 helikopterë, zjarrfikëse e dhe autoambulanca, janë angazhuar prej orëve të para të mëngjesit të sotëm në operacionin për shuarjen e flakëve në gadishullin e Karaburunit.
Flakët kanë vijuar të jenë aktive përgjatë natës, duke u kthyer në rrezik për banorët e fshatit Dukat. Aksioni po vijon prej orësh nga toka dhe nga ajri, për të vënën nën kontroll flakët, në mënyrë që ato të mos përparojnë drejt Parkut të Llogorasë.
Një tjetër vatër aktive është në fshatin Cukal, njësia administrative Shllak, bashkia Vau Dejës, ku ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe pemë të ndryshme. Shërbimi vendor i MZSH Vau Dejës, ndodhet në vendngjarje dhe po punohet për shuarjen e flakëve.
Gjithashtu puna po vijon për vënien nën kontroll të zjarrit të rënë në fshatin Qesorat, të njësisë administrative Lunxhëri, në bashkinë e Gjirokastrës, ku bashkë me punonjësit e shërbimit të zjarrfikëses së këtij qarku, janë bashkuar edhe 20 efektivë të FA.
/Priza.al/