Kriza e plehrave në Durrës, Kavajë dhe Fier ka ngritur dyshimet e bazuara se gjithçka ka qenë e sinkronizuar për të favorizuar landfillët e menaxhuara nga Klodian Zoto. Afera e inceneratoreve nuk ka të ndaluar pavarësisht se mungojnë hapësirat ligjore apo infrastruktura e nevojshme.
Në qershor, Durrësi u përfshi nga kriza e plehrave. Tonelata mbetjesh urbane mbushën konteinerët e qytetit, pasi Bashkia nuk kishte një vend ku t’i depozitonte. Më pas, një krizë e ngjashme u zhvendos në Kavajë, ku mbeturinat nisën të digjeshin pa autor, në vendin ku ishte caktuar për t’u mbledhur. Në fund, Fieri u pushtua nga tymi i plehrave që digjeshin në landfillin e amortizuar të Mbrostarit. Këto ngjarje, në dukje të sinkronizuara, krijuan dyshimet se gjithçka po fshihte një tjetër skenar.
Dhe, përgjigja erdhi shumë shpejt. Autoritetet qendrore dhe ato lokale në Durrës e Fier e gjetën zgjidhjen tek landfillet private, të menaxhuara nga biznesmeni Klodian Zoto.
Në fillim, ishte Bashkia e Durrësit, e cila e gjendur nën bllokimin e financave qeveritare për ndërtimin e një vend – depozitimi mbetjesh në territorin e saj, u detyrua që të përfshihet në raporte kontraktore me “Integrated Energy BV”, e cila menaxhon kontratën koncensionare të landfillit të Sharrës.
Agjencia e Mbetjeve i sugjeroi Bashkisë së Durrësit që të gjente një akord me landfillin privat të Sharrës.
Bashkia e Durrësit kishte menduar një tjetër zgjidhje, më lokaliste, por ideja e saj u refuzua nga qeveria.
Për këtë arsye, këshilltarët bashkiakë durrsakë u detyruan të pranonin planin, i cili në fakt nuk ka asnjë bazë ligjore për t’u mbështetur.
Pas këtij vendimi të strukturave lokale, Qeveria, me firmën e Erion Braçes, u tregua shumë e gatshme t’i akordojë miliona euro bashkisë së Durrësit, që kjo e fundit të dërgojë për 10 vite radhazi mbeturinat në landfillin privat të Tiranës.
Nga ai moment, kriza u shua. Zgjidhja kishte qenë shumë e lehtë. Mjaftonte që të gjithë të bindeshin se alternativa më e mirë ishte pasurimi i mëtejshëm i kompanisë koncensionare.
Një skenar i ngjashëm u zhvillua edhe në Fier gjatë ditëve të fundit të korrikut.
Fusha e mbetjeve në Mbrostar u përfshi për shumë ditë nga flaka dhe tymi toksik, i cili helmoi të gjithë qytetin.
Bashkia e Fierit kishte dështuar me planin e menaxhimit të mbeturinave, duke nisur dhe anuluar procedura për pastrimin e qytetit dhe për sigurimin e infrastrukturës së nevojshme.
Zgjidhja, edhe në këtë rast, ishte një pak me kompaninë koncensionare “Integrated Technology Treatment Waste”, e menaxhuar nga Klodian Zoto, e cila ka fituar kontratën për të ndërtuar landfillin dhe inceneratorin e Sharrës.
Kryebashkiaku Armando Subashi u shfaq pak ditë më parë në media, duke deklaruar se kishte gjetur mirëkuptimin e kompanisë private për të menaxhuar mbetjet, ndërkohë që kjo e fundit nuk i ka ende kapacitetet dhe lejet përkatëse për të përpunuar të gjithë llojet e mbeturinave urbane.
Por këto detaje teknike nuk duket se kishte shumë rëndësi.
Në fund qëllimi u arrit. Mbetjet e Durrësit dhe të Fierit shkuan në landfillët e menaxhuar nga Klodian Zoto, pavarësisht se mungojnë hapësirat ligjore apo infrastruktura e nevojshme.
/Burimi: Syri TV/