Prej pothuajse një jave vazhdojnë zjarret në Greqi dhe situata duket se po përkeqësohet nga momenti në moment. Një situatë e tillë ka ngritur alarmin tek mjekët pasi tymi që po shpërndahet në atmosferë po shkakton shumë probleme tek organizmi i qytetarëve.
Alarmin për mikro-grimcat e tymit në atmosferë pas zjarreve shkatërruese e ka ngritur dhe Profesori i Pulmonarisë, Panagiotis Bechrakis. Ai theksoi se thithja e tyre afatgjatë madje mund të shkaktojë kancer, por edhe një sërë problemesh të tjera shëndetësore.
“Këto mikro -grimca të prodhuara nga zjarret në pyje janë shumë toksike dhe duhet të shmangen sa më shumë që të jetë e mundur. Ata kanë një sinjal aerodinamik dhe një diametër shumë të vogël në mënyrë që ato të barten nga një rrjedhë ajri e thithur dhe të arrijnë shumë thellë në sistemin e frymëmarrjes ku stimulojnë një mekanizëm inflamator, i cili prek të gjitha organet duke filluar së pari nga ato të frymëmarrjes por edhe të qarkullimit të gjakut, ndërsa ata janë përgjegjës për episodet e hipertensionit, për aritmitë, për problemet koronare dhe janë vërtetuar se janë edhe kancerogjene në planin afatgjatë ”, tha Bechrakis.
Sipas CNN Greece, Profesori i Pulmonarisë, Panagiotis Bechrakis kërkon nga prindërit që të ruajnë fëmijët duke thënë që t’i mbajnë në ambiente të brendshme dhe mos i ekspozojnë në vende me tym. Sipas tij në vëmendje duhen mbajtur edhe gratë shtatzëna pasi tymi mund të ndikojë negativisht tek fetusi.
Për të gjithë qytetarët që kanë sëmundje kronike duhet të mbajnë maska dhe mos të dalin nga shtëpitë.
/Burimi: CNN Greece/ Përshtati: Priza.al/