Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, ka dhënë informacion në lidhje me zjarret në Gjormë të Vlorës. Ai u shpreh se deri më tani nuk ka informacione për persona të lënduar, por vetëm për shtëpi të dëmtuara.
Peleshi tha për gazetarët se po luftohet për të shmangur zjarrin në drejtim të fshatit Gumenicë. Ai përsëriti apelin për evakuimin e banorëve.
“Vatrat janë më pak agresive sesa para një ore. Është punuar me dy helikopterë. Tani po vazhdon punën një helikopter më i vogël. Kemi patur edhe prekje banesash, por fatmirësisht deri tani sipas informacioneve që kemi kanë qenë në pjesën e fshatit Gjormë që nuk na raportohet të ketë patur banorë dhe në fshatin Gumenicë lart ku shtëpitë janë të vjetra. Po luftojmë dhe po përpiqemi që të shmangim përfshirjen e shtëpive të fshatit Gumenicë poshtë. Forcat e policisë janë aty. Kanë kontakt me forcat e veta në fshat dhe evakuojnë familjet që janë të ekspozuara ndaj rrezikut. Përsëris apelin tim ndaj familjarëve, ata që në këto kushte mund ta ndjekin, për komunitetin përreth, për të afërmit e tyre që kanë mundësi të na ndihmojnë për të evakuuar njerëzit. Jeta e njerëzve për ne është kryesore. Nuk kemi raportime për lëndime deri tani. Shpresojmë që edhe kjo vatër të mbyllet pa patur të lënduar. Dëme materiale dukshëm ka. Ka edhe pemë të vjetra të djegura. Ka edhe banesa të prekura. Kemi forca mjaftueshëm për ta mbajtur nën kontroll, Në Llogara, në Karaburun, erërat janë më të forta se këtu, shumë më të forta se ditët e tjera. Jemi në luftë, në frontin e kufirit me parkun e Llogarasë. Kemi pasur 30 forca gjatë gjithë natës. Sot është nisur një grup forcash të tjera drejt Llogarasë, kufirit. Po presim të krijohen kushtet e favorshme, nga era për të dislokuar trupa me anë të helikopterit ushtarak aty. Nuk kemi mundur dot të bëjmë deri në këto momente të bëjmë fluturime me kova me ujë sepse ka qenë e pamundur. Kemi një sinjal që mund të jenë të favorshme kushtet më vonë. Për momentin do bëjë një verifikim të situatës dhe nëse do jetë e nevojshme do çojmë trupa dhe ujë në Llogara.”, tha Peleshi.
/Priza.al/