Policia e Durrësit ka sekuestruar ditën e sotme 62 kilogramë kanabis he ka vënë në pranga 7 persona të cilët janë me vendbanim në Tiranë, Dibër dhe Krujë. Në pranga ranë Korab Cala, Anton Gjini, Onfred Dedja, Gerald Stema, Klejvis Metalla, Gernard Lala, Alfred Sefa.
Forcat blu kanë pikasur në aksin rrugor Vorë-Fushë Krujë 3 automjete të cilat lëviznin në mënyrë të dyshimtë. Pasi i kanë ndaluar për kontroll, janë gjetur 62 kilogramë kanabis të cilat janë sekuestruar menjëherë. Policia e Durrësit gjithashtu ka sekuestruar edhe 3 automjetet me të cilat lëviznin të arrestuarit dhe 12 aparate celulare.
Të arrestuarit akuzohe për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” kryer në bashkëpunim.
Njoftimi i policisë:
Durrës
Vijojnë goditjet ndaj veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Motoristi”.
Operacioni i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës.
Sekuestrohen rreth 62 kg lëndë narkotike cannabis sativa.
Arrestohen në flagrancë 7 shtetas.
Seksioni i Hetimit të Narkotikëve në DVP Durrës, në bashkëpunim me Forcën Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, pas marrjes së informacionit se disa shtetas që po lëviznin në aksin Vorë-Fushë Krujë, dispononin sende të kundërligjshme me vete, organizuan punën dhe finalizuan me sukses operacionin e koduar “Motoristi”, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit:
K. C., 39 vjeç, O. D., 44 vjeç, K. M., 20 vjeç, banues në Tiranë, G. L., 28 vjeç, banues në Dibër, A. Gj., 39 vjeç, G. S., 22 vjeç dhe A. S., 40 vjeç, banues në Krujë.
Këta shtetas kanë qenë duke qarkulluar me 3 mjete të ndryshme në aksin rrugor Vorë-Fushë Krujë. Pas ndalimit nga shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në njërin prej mjeteve u gjetën rreth 62 kg lëndë narkotike cannabis sativa, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me 3 mjetet dhe 12 aparate celulare.
Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” kryer në bashkëpunim.
/Priza.al/