Mediat e huaja flasin mbi zjarret në Shqipëri/ DW: Flakët po pushtojnë malet, por janë shmangur katastrofat

Vatrat e zjarrit të izoluara apo të tjera aktive kryesisht në malësitë e Shqipërisë Jugore e Veriore vazhdojnë të angazhojnë qindra efektivë të Forcave të Armatosura, zjarrfikës dhe komunitetet lokale për shuarjen e tyre dhe shmangien e mbërritjes së tyre në zonat e banuara.

Zjarret në Shqipëri kanë hyrë në javën e tyre të dytë, të shkaktuara nga temperaturat afrikane por dhe nga zjarrvënës të qëllimshëm, 6 prej të cilëve janë arrestuar nga policia.

Në deklaratën e fundit të Ministrisë së Mbrojtjes, të publikuar afër mesnatës, (05.08) bëhet me dije se në Gadishullin e Karaburunit vatra e rrezikshme e zjarrit është izoluar.

Një numër i konsiderueshëm forcash të armatosura dhe mjetesh u angazhuan në vatrën e re të zjarrit në malësitë pranë lumit të Vlorës dhe arritën të frenojnë përhapjen e flakëve, nga erërat e shpejta, duke shmangur një katastrofë të mundshme, nëse zjarri do të arrinte në zonat e banuara dhe Parkun Kombëtar të Llogorasë.

Po ashtu, u parandalua edhe katastrofa në zonën e Lumit të Vlorës. “Ndërhyrja masive e trupave të ushtrisë nga toka dhe helikopterët nga ajri, neutralizuan rrezikun e jetës dhe banesave atje”,- bëri me dije në orët e vona të mbrëmjes, të enjten, (05.08) Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi.

Vatra të reja zjarri në malet e Kukësit

Lufta kundër zjarreve të premten është përqendruar, (06.08) në vatrën e re të zjarrit, në malësitë e Kukësit, (Shqipëria Veri-Lindore). Ministria e Mbrojtjes bën me dije që zjarri ka përfshirë Malin e Runës (1875 metra i lartë) dhe ka arritur majën e tij.

Trupat e ushtrisë dhe zjarrfikësit synojnë ta mbajnë zjarrin nën kontroll dhe pengojnë mbërritjen e tij në zonat e banuara. Kurse vatra e zjarrit në Malin e Shëngjinit, në Lezhë është neutralizuar plotësisht.

Në Shkodër, Pukë, Mallakastër, Korçë, Delvinë dhe Gjirokastër vatrat e zjarrit janë ende aktive por me një fuqi përhapjeje më të ulët dhe nën kontroll.

Zjarret kanë shkaktuar dëme të mëdha ende të pallogaritura. Deri tani viktima e tyre e vetme, është 64-vjeçari Andrea Haxhiaj,  që u gjet pa jetë, i asfiksuar në vreshtin pranë banesës së tij, në fshatin “Asim Zeneli”, në krahinën e Lunxhërisë, në Gjirokastër.

Pritet që të premten (06.08) të mbërrijnë nga BE helikopterët që Holanda dhe Çekia, do të sjellin për shuarjen e zjarreve në Shqipëri, në kuadër të aktivizimit të Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE.

/Burimi: DW/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *