Gjendet pas 28,000 vitesh luani në Siberi/ I ruajtur në mënyrë perfekte, ka akoma edhe mustaqet!

I gjetur i ngrirë mbas 28,000 vjet thellë në Arktikun Siberian, këlyshi i luanit i shpellës duket sikur është në gjumë dhe një prekje mund ta zgjojë atë.

Lëkura ngjyrë artë e këlyshit është e lyer me baltë, por e padëmtuar. Dhëmbët, lëkura, indet e buta dhe organet e tij janë të mumifikuara dhe të gjitha të paprekura. Rreth 28,000 vjet që kur ajo mbylli sytë, kthetrat e saj janë akoma mjaft të mprehta për të gërvishtur gishtin e njërit prej shkencëtarëve që po studion këtë ekzemplar të mrekullueshëm, dhe të paparë, të ruajtur nga ngrica.

Simba Siberiane, me nofkën Sparta, ishte një nga dy këlyshët e luanëve të gjetur në shpellë, macet e mëdha të zhdukura që bridhnin gjerësisht në hemisferën veriore, u gjet në 2017 dhe 2018 nga gjahtarët e mamuthëve në brigjet e lumit Semyuelyakh në Lindjen e Largët të Rusisë.

Fillimisht, mendohej se të dy këlyshët ishin vëlla e motër, pasi u gjetën vetëm 15 metra larg, por një studim i ri zbuloi se ata ndryshojnë në moshë me rreth 15,000 vjet. Boris, siç njihet këlyshi i dytë, është 43,448 vjeç, sipas datimit të radio karbonit.

“Sparta është ndoshta kafsha e ruajtur më mirë e Epokës së Akullnajave që është gjetur ndonjëherë, dhe është pothuajse e padëmtuar, përveç se leshi është pak i trazuar. Ajo madje i kishte ruajtur edhe mustaqet. Boris është pak më i dëmtuar, por gjithsesi në gjendje mjaft të mirë,” tha Love Dalen, profesor i gjenetikës evolucionare në Qendrën për Paleogjenetikë në Stokholm, Suedi, dhe autor i një studimi të ri mbi këlyshët.

Sipas studimit, të dy këlyshët ishin vetëm 1 ose 2 muajsh kur vdiqën. Nuk është e qartë se si ata humbën jetën, por Dalen dhe ekipi kërkimor – i cili përfshin shkencëtarë rusë dhe japonezë – thanë se nuk kishte shenja dëmtimi që mund të tregonin se ata ishin vrarë nga ndonjë grabitqar.

Skanimet e tomografisë së kompjuterizuar treguan dëmtime të kafkës, zhvendosje të brinjëve dhe shtrembërime të tjera në skeletet e tyre.

“Duke pasur parasysh ruajtjen e tyre, ata duhet të jenë varrosur shumë shpejt. Pra, ndoshta ata vdiqën në një rrëshqitje të dheut, ose ranë në një çarje në ngricën e përhershme,” tha Dalen. “Permafrosti formon çarje të mëdha për shkak të shkrirjes dhe ngrirjes sezonale.”

Gjatë Epokës së fundit të Akullit, Siberia nuk ishte vendi bosh që është sot. Mamuthët, ujqërit e tundrave, arinjtë, rinocerontët, antilopat e bizonët, endeshin, së bashku me luanët e shpellave – një i afërm pak më i madh i luanëve afrikanë që jetojnë sot.

Studimi, i botuar në revistën Quaternary, zbuloi se veshja e luanëve të shpellave ishte e ngjashme, por jo identike me atë të një këlyshi luani afrikan. Këlyshët e Epokës së Akullit kishin një shtresë të gjatë të trashë leshi që i ka ndihmuar ata të përshtaten me klimën e ftohtë.

/Burimi: CNN/përshtati në shqip Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *