Të afërmit e Eduardit, Silvanës, Anastasias dhe Eva Gushit i kanë kushtuar një memorial pas vdekjes tragjike në aksin rrugor Levan-Vlorë. Në memorial, është shfaqur edhe një fotografi e çiftit dhe fëmijëve të ndjerë, ndërsa poshtë gurit, ndodhen dy arushë, që personifikojnë 2 vajzat e vogla.
“O njerëz të mirë e ju kalimtarë, ndaloni pak çaste këtu mbi gur janë katër engjëjt tanë që padrejtësisht u shuan. Atë ditë të premte këtu kaluan. Në këtë rrugë kur kaloni, ndalni hapa e qëndroni se është shpirti i njerëzve tanë, që me gjak vendin e lanë”.
Por si ndodhi ngjarja?
Të premten e 25 qershorit, familja Gushi, e përbërë nga katër antarë, babai Eduardi, nëna Silvana, e dy vajzat 14 vjeçe Anastasia dhe vogëlushja 9-vjeçare Eva, sapo kishin kaluar kufirin grek dhe ishin drejtuar për te të afërmit në Fier. Por, në aksin rrugor Levan-Vlorë, makina tip “Toyota” me të cilën ata po udhëtonin, u godit nga një mjet tip “Audi”, e për pasojë, ata dolën nga rruga e ndërruan jetë në vend.
Ndërsa, personat që ndodheshin brenda “Audit” arritën t’i mbijetonin aksidentit. Edhe pse ndërhyrja e kalimtarëve të rastit dhe ambulancës qe e menjëhershme, goditja rezultoi fatale për familjen emigrante, që mbyllën përfundimisht sytë, në vendin, që sot ndodhet memoriali në nderim të tyre.