Një trup i pajetë është gjetur në fushën e grumbullimit të mbetjeve në Fier. Raportohet se viktima është 29-vjeçari Demokrat Medinaj, i cili masakroi me thikë bashkëshorten Irvana Medinaj.
Familjarët e 28-vjeçares që u vra pasditen e djeshme nga bashkëshorti i saj Demokrat Medinaj në Fier, kanë treguar se ajo ka lënë pas 2 fëmijë, dhe se ishte shtatzënë 6 javëshe. Përsa i përket autorit, nëna dhe babai i 28-vjeçares thonë se ai nuk ka pasur probleme mendore, sikurse u aludua. Ata ende nuk kanë një arsye se pse dhëndrri ka vrarë vajzën e tyre.
29-vjeçari Demokrat Medinaj e ka qëlluar bashkëshorten e tij disa herë me thikë, duke i shkaktuar plagë në të gjithë trupin, si pasojë e të cilave ndërroi jetë në banesën e tyre ne lagjen “Sheq i madh”. Ngjarja ka ndodhur në sy të fëmijëve të mitur.
Njoftimi i policisë
Sot rreth orës 10:20, në vendin e quajtur “Vija e ngjalës”, është gjetur pa shenja jete shtetasi D. M., 29 vjeç, banues në lagjen “Sheq i madh”, Fier, i cili ishte në kërkim nga policia pasi pasditen e djeshme ka vrarë me mjet prerës (thikë), bashkëshorten e tij.
Nga kqyrja paraprake e kufomës nuk janë konstatuar shenja dhune. Trupi i viktimës është transportuar në morgun e spitalit për t’iu nënshtruar një ekspertize mjeko ligjore më të specializuar.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.