Kreu i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, ka reaguar në lidhje me lajmin se zjarrfikësit e Vlorës, prej dy muajsh, nuk kanë marrë lekët për orët shtesë të punës. Për mediat, Leli është shprehur se ata që nuk janë paguar do të marrin pagat që iu takojnë. Sipas tij, mungesa e pagave ka ndodhur për arsye të kufizimeve ligjore.
Kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, ka zbritur sot në terren për të monitoruar situatën e zjarrit në Karaburun.
Leli tha se shërbimi zjarrfikës i Vlorës është i stacionuar në Dukat për çdo rast ndërhyrjeje dhe agravimi të situatës.
‘Shpresojmë që shumë shpejt ti japim fund kësaj gjëje të shëmtuar’, u shpreh Leli, ‘e cila nuk dëmton vetëm pyjet por dhe turizmin’.
Dritan Leli: “Sot ka një riaktivizim të vatrës së zjarrit mbi fshatin Dukat, është ende larg banesave. Ka filluar në orët e para të mëngjesit, rreth dy orë ka punuar helikopteri nga ajri për fikjen e kësaj vatre të riaktivizuar.
Nga komunikimi që kam pasur me ministrin Peleshi do të ketë vazhdimësi gjatë ditës për fikjen e zjarrit po përsëri nga ajri, sepse për shkak të terrenit është plotësisht e pamundur që njësitë zjarrfikëse të shkojnë në atë pjesë të terrenit.
Do doja të kishte fund sa më shpejt zjarrëvënia e qëllimshme dhe ti kthehemi normalitetit që të vazhdojmë dhe të çojmë përpara industrinë e turizmit”.
Kryebashkiaku foli edhe për lajmin e bërë publik ditën e djeshme, në lidhje me pagesat e zjarrfikësve të Vlorës, të cilët nuk janë paguar prej dy muajsh me pagat e gatishmërisë.
Ata kanë marrë vetëm 20 orë pune ndërkohë qe kanë 90 orë plus të cilat janë gati 30 mije leke që u duhet paguar nga bashkia. Po ashtu rrobat e zjarrfikëseve, pantallona, bluza, etj etj kanë vite qe nuk i kanë marrë dhe çdo gjë e blejnë me shpenzimet e tyre.
Sipas Lelit, kufizimet ligjore janë bërë pengesë që zjarrfikësit, të cilët janë heronjtë e këtyre ditëve të vështira ku ndodhet vendi me flakët. Ai shtoi më tej se ata do të marrin paratë që i takojnë dhe çdo orë pune do të paguhet!
Dritan Leli: “Zjarrfikësit e qytetit të Vlorës janë paguar të gjithë për të gjitha orët e punës së zakonshme, për orët shtesë dhe do të paguhen për të gjitha orët shtesë që kanë mbetur të papaguara për shkak të kufizimit ligjore që ka për pagesën e tyre. Çdo orë punë e tyre do të paguhet!”
/Priza.al/