Askush nuk donte ta besonte në fillim lajmin për largimin e Messit nga Barcelona. Tashmë është çdo ditë e vërtetë dhe shumë tifozë të Barcelonës, jo vetëm që sulmuan nëpërmjet rrjeteve sociale, por kishte edhe shumë nga ata më besnikët që u mblodhën përpara stadiumit “Camp Nou”.
Disa e gdhinë madje edhe me qirinj në dorë, për të shpresuar se situata mund të ndryshonte.
Por pas konferencës së presidentit Joan Laporta, nuk do të ketë kurrsesi një kthim mbrapa dhe nga sezoni i ardhshëm argjentinasi do të luajë me një tjetër fanellë.
Ajo që është e sigurt do të jetë një ndarje zyrtare mes Messit dhe tifozerisë së tij. Laporta i ka lënë dorë të lirë futbollistit, i cili vazhdon që të heshtë, që të zgjedhë datën dhe mënyrën se si do të dojë të thotë lamtumirë.
Klubi katalanas ka vijuar me dedikime me video speciale në rrjetet sociale për Leo Messin. Ndërkohë, tani të gjithë presin që të dëgjojnë edhe deklaratën e legjendës së Barcelonës dhe të futbollit botëror pas lamtumirës.
/Priza.al/