Nuk është fantashkencë, lazeri i Marinës Amerikane krijon UFO plazmike në qiell! Ja teknologjia e pabesueshme

A kanë qenë jashtëtokësorë që vinin nga hapësira ata që kanë vizituar Tokën? Kjo është pyetja e gabuar që bëhet për UFO -t, ose siç quhen tani zyrtarisht, fenomene ajrore të paidentifikuara, UAP.

Muajin që shkoi Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare i dërgoi Kongresit Amerikan një vlerësim paraprak në lidhje me fenomenin UAP. Raporti u prodhua nga Zyra e Inteligjencës Detare, e cila krijoi një grup pune “për të zbuluar, analizuar dhe kataloguar UAP, që mund të përbëjnë një kërcënim të mundshëm për sigurinë kombëtare të SHBA-së”.

Pas shqyrtimit të 144 raporteve mbi ngjarje që janë me origjinë nga burimet e qeverisë amerikane, grupi i punës arriti në përfundimin se UAP mund të “kërcënojë sigurinë e fluturimit dhe ndoshta edhe atë kombëtare”.

Shumë nga dëshmitë mbi këto objekte i referohen kryesisht hapësirës ajrore të stërvitjeve ushtarake, dhe deri vonë nuk ka pasur asnjë mekanizëm raportimi për ngjarje të tilla. Kjo ngre mundësinë që SHBA të ketë një vetësiguri të tepruar nga sulmet e mundshme.

UAPTF u krijua pas një serie incidentesh ajrore të pashpjegueshme nga pilotët ushtarakë amerikanë, disa prej të cilave u filmuan dhe u publikuan nga New York Times.

Në maj të këtij viti, emisioni “60 Minuta” në CBS ri-analizoi videot dhe hulumtoi gjasat që UAP të ishin me origjinë jashtëtokësore. Megjithatë, ka më shumë mundësi që ato të jenë me origjinë tokësore, dhe një kërcënim i caktuar për sigurinë tonë kombëtare.

Një fakt që nuk e përmend raporti i Task Forcës, është se në vitin 2018 marina amerikane regjistroi një kërkesë për një patentë mbi “një metodë ku një rreze lazer konfigurohet për të gjeneruar një filament plazmik (LIPF), dhe kjo e fundit vepron si një mekanizëm për të mashtruar një raketë apo një kërcënim tjetër, në mënyrë që të mos godasë një objektiv specifik”.

David Hambling e përshkroi teknologjinë në një artikull në “Forbes”në maj 2020 me titull “Lazeri i Marinës Amerikane krijon “UFO”plazmike”. “Pajisja krijon imazhe fantazmë me emetime infra të kuqe për të mashtruar raketat që orientohen sipas temperaturës.”

Lazeri krijon një seri kolonash plazmike në atmosferë, të cilat formojnë një imazh 2D ose 3D. . . e ngjashme me mënyrën se si funksiononin dikur televizorët me rreze katodike”- thekson ai. Pra thënë thjesht, është një lazer që gjeneron një imazh holografik për të ngatërruar pilotët luftarakë dhe sensorët e tyre gjatë luftimeve ajrore. Patenta është në pritje, dhe teknologjia mund të jetë operacionale ose jo.

Por një kundërshtar i huaj, mund të jetë duke përdorur diçka të ngjashme, dhe duke e testuar reagimin e ushtrisë amerikane. Në vitin 2017, Rusia pretendoi se kishte arritur të ndërtonte  armën me lazerin plazma“të gjeneratës tjetër”.

Në një pjesë të raportit në lidhje me UAP, ku “ai duket se tregon për një teknologji të përparuar”, grupi i ekspertëve vëren se në 18 incidente, të përshkruara në 21 raporte, “vëzhguesit raportuan modele të pazakonta të lëvizjes UAP apo tipare të fluturimit”, përfshirë aftësinë për të “manovruar befas, apo për të lëvizur me një shpejtësi të madhe, pa mjete të dallueshme shtytëse”.

Teknologjia e lazerit plazmik, mund të shpjegojë pse disa imazhe të kapura të UAP janë kokrrizore, dhe pse “objektet” misterioze lëvizin në mënyrë të çrregullt me një ​​shpejtësi të rrufeshme, dhe pse pilotët nuk i shohin kurrë nga nisen apo ku ulen objekt të tilla.

Po ashtu, kjo teknologji do të shpjegonte se pse ato vazhdojnë të shfaqen në hapësirën ajrore të kufizuar pikërisht gjatë stërvitjeve të avionëve luftarakë. Një nga të metat e kësaj teorie, është pohimi në raportin e përmendur që në fillim se “shumica e UAP të raportuar, përfaqësojnë ndoshta objekte fizike, duke pasur parasysh se shumica e tyre janë regjistruar në sensorë të shumtë, përfshirë radarin, rrezet infra të kuqe, elektro-optikën, gjurmuesit e armëve dhe vëzhgimet vizuale”.

Sipas vlerësimit, nga 144 raporte me burim qeverinë amerikane, 80 “përfshinin vëzhgimin nga sensorë të shumtë”. Kjo tregon se ose teknologjia e lazerit plazmik mund të prodhojë grimca të mjaftueshme që parë nga një radar ngjan me një objekt fizik, ose që në fakt ekziston një objekt fizik, pavarësisht nëse është UAP apo një dron që projekton si imazh.

Kë të ngjarë që të ketë shpjegime të ndryshme mbi pamje të ndryshme të UAP. Disa mund t’i atribuohen anomalive të sensorit, ndërsa të tjerat mund të jenë reale. Disa mund t’i atribuohen një kundërshtari të huaj, dhe disa mund të jenë me origjinë tjetër.

Ndërsa mbeten shumë pikëpyetje në lidhje me fenomenin UAP, është e qartë se dikush ose e ka arritur dominimin e hapësirës ose dëshiron që SHBA të mendojë se e ka arritur këtë gjë. Grupi i punës u përqendrua tek dëshmitë mbi UAP, të ardhura kryesisht nga aviatorët e ushtrisë.

Disa incidente përfshinin “ndotës të fushës”, i përkufizuar si “një aktivitet apo si një objekt që ndërpret stërvitjen e planifikuar paraprakisht apo aktivitete të tjera ushtarake në një zonë operative ushtarake apo hapësirë ​​ajrore të kufizuar”.

Pra me fjalë të tjera, UAP kanë treguar në mënyrë të përsëritur aftësitë e tyre për pilotët luftarakë amerikanë në hapësirën ajrore të kufizuar, ndoshta si pjesë e një strategjie për të minuar besimin e ushtrisë amerikane.

Cilado qoftë origjina dhe qëllimi i tij, ai “dikush” është i vendosur që të tërheqë vëmendjen tonë mbi një rrezik të madh. Kjo duhet të mjaftojë që ne të arrijmë në përfundimin se fenomenet ajrore të paidentifikuara, UAP, përbëjnë një kërcënim për sigurinë kombëtare.

Shënim: Jeffrey Scott Shapiro, është gazetar investigativ, që ka raportuar shpesh mbi hapësirën ajrore ruse. Ai ka shërbyer si këshilltar i lartë i Agjencisë Amerikane për Media Globale gjatë viteve 2017-2021.

/Burimi: Wall Street Journal/ përshtati nw shqip Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *