Guvernatori i Nju Jorkut, Andrew Cuomo, mund të përballet me akuza kriminale nëse hetuesit arrijnë në përfundimin se është i besueshëm një kallëzim penal që e akuzon guvernatorin se ka prekur një ndihmëse në pjesë intime vitin e kaluar, tha të shtunën zyrtari më i lartë i rendit të qarkut Albany.
Sherifi Craig Apple premtoi një hetim “gjithëpërfshirës” në partneritet me zyrën e prokurorit të qarkut Albany, por tha se do të ishte e parakohshme të flitej për një afat kohor ose nëse vetë Cuomo do të merrej në pyetje.
“Kemi për të bërë shumë hetime për gjetje faktesh. Duhen bërë shumë intervista”, tha zoti Apple për gazetarët. “Nuk do të nxitojmë për shkak se për kë bëhet fjalë, por as nuk do ta ngadalësojmë çështjen”.
Ankesa e paraqitur këtë javë, është shembulli i parë i njohur ku një grua ka bërë një akuzë zyrtare pranë një agjencie të zbatimit të ligjit për shkelje të supozuara nga guvernatori demokrat.
Paditësja thotë se vitin e kaluar kur ishin vetëm në Pallatin Ekzekutiv, rezidenca e guvernatorit të Nju Jorkut gjatë mandatit, zoti Cuomo i futi dorën poshtë këmishës duke e ledhatuar. Ajo po ashtu u tha hetuesve të zyrtës së prokurorisë së përgjithshme se në një rast, Cuomo i fërkoi të pasmet ndërsa po pozonin së bashku për një fotografi.
Avokatja e guvernatorit Cuomo, Rita Glavin, ka thënë se, akuza ishte e sajuar.
“Ai është 63 vjeç dhe ka 40 vjet në shërbimin publik, dhe papritur u akuzua për një sulm seksual nga një ndihmëse ekzekutive që ai me të vërtetë nuk e njeh”, tha avokatja Glavin.
Sherifi Craig Apple nuk pranoi të publikonte ankesën të shtunën, por e përshkroi akuzën si të “një natyre seksuale”. Ai tha se zyra e tij ka një “histori të provuar” në ndihmë të viktimave, duke shtuar se ai nuk ka frikë nga hakmarrja në hetimet ndaj një zyrtari kaq të lartë.
“Unë jam sherifi i qarkut. Nuk do të trembem. Unë nuk do të thyhem. Veprime të tilla nuk do të ishin të mira për askënd”,- tha ai.
Guvernatori Cuomo është përballur me thirrje të reja për të dhënë dorëheqjen pasi një hetim i pavarur i mbikëqyrur nga zyra e prokurorit të përgjithshëm të shtetit arriti në përfundimin se ai kishte ngacmuar seksualisht 11 gra dhe u hakmor ndaj njërës prej akuzuesve të tij.
Raporti i prokurores së përgjithshme përshkruan një seri rastesh kur janë ngritur pretendime se zoti Cuomo ka vepruar në mënyrë të papërshtatshme me ndihmësen e përshkruar si Asistentja Ekzekutive #1, duke arritur kulmin me prekjen e pjesëve intime në rezidencën e guvenatorit nëntorin e vitit 2020.
Sipas gruas, guvernatori Cuomo e tërhoqi atë për një përqafim ndërsa ajo përgatitej të largohej nga zyra e guvernatorit në rezidencën zyrtare. Ajo tha se i kishte thënë atij se, “ti do të na fusësh në telashe” dhe guvernatori Cuomo i ishte përgjigjur, “nuk e kam problem” dhe kishte përplasur derën. Sipas askuzës së gruas, guvernatori i futi dorën poshtë bluzës duke i prekur gjoksin mbi sytjena.
“Në atë moment isha aq e tronditur saqë mund t’ju them se thjesht mbaj mend se kisha ulur kokën duke parë dorën e tij, duke parë pjesën e sipërme të sytjenave të mia”, u tha ajo hetuesve.
Ajo tha se ishte shkëputur prej tij, duke i thënë zotit Cuomo: “Ti je i lajthitur”. Hetuesit thanë se ndihmësja nuk e mbante mend datën e saktë, por siguroi një fotografi të datës 16 nëntor 2020, që ajo tha se ishte pranë ditës së incidentit.
/Burimi: VOA/