Në kërkim janë shpallur dy persona, pronarë të tokës ku u gjet e kultivuar bima narkotike. Ata janë shtetasit me iniciale A.Ç. dhe F.Ç.

NJOFTIMI I POLICISË:

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në bashkëpunim me strukturat e DVP Durrës, si rezultat i kontrollit në territor kanë evidentuar dhe goditur një rast të tentativës për kultivim të kanabisit në fshatin Larushk, Krujë.

Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë bënë shpalljen në kërkim të shtetasve F. Ç., 47 vjeç dhe A. Ç., 38 vjeç (vëllezër), banues në Larushk, Krujë, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në një sipërfaqe toke në pronësi të tyre, të mbjellë me prodhime bujqësore, shërbimet e Policisë kanë gjetur të kultivuar fidanë të dyshuar cannabis sativa. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës dhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme.

/Priza.al/