GREQI– Ishulli grek Evia, në veri dhe lindje të Athinës, vazhdon të jetë i përfshirë nga zjarre të egra për ditën e tetë rradhazi, duke bërë që banorët të largohen nga deti për t’u shpëtuar flakëve.
Më shumë se 2000 njerëz janë evakuuar, ndërsa zyrtarët lokalë thonë që nevojiten më shumë ndihma pasi zjarret kanë shkatërruar pjesë të ishullit.
Në Evia, dy fronte zjarri kanë shkatërruar mijëra hektarë tokë, së bashku me një numër shtëpish dhe biznesesh. Zjarrfikësit janë përpjekur të mbajnë larg zjarret në një numër fshatrash në ishull.
Autoritetet shëndetësore greke njoftuan se në Athinë janë regjistruar nivele deri në 465 mikrogram pjesëzash pluhuri të imët karboni për metër kub. Për krahasim kufiri që ka vendosur BE -ja është 50 mikrogramë për metër kub ajër. Ekspertët kanë paralajmëruar qytetarët të mbajnë maska dhe të evitojnë daljet nga shtëpia.
Gjithashtu Turqia po lufton me flakët për gati 2 javë, ndërsa temperaturat në Greqi kanë arritur në 45 gradë Celsius.
/Priza.al/