Një 31-vjeçar është vëmë në pranga pasi akuzohet se ka kultivuar kanabis në fshatin Krrabë e Vogël, Elbasan. Sipas njoftimit të policisë, bëhet me dije se ai u kap gjatë kontrolleve të policisë, ndërsa bashkëpunëtori i tij u shpall në kërkim. Ky i fundit, 30 vjeç, me inicialet L.B., banues në Farkë kërcënoi edhe efektivët që po ‘krihnin’ zonën.
Njoftimi i policisë Elbasan
Evidentohet dhe goditet një tjetër rast i kultivimit të bimëve narkotike. Arrestohet në flagrancë një shtetas, shpallet në kërkim policor bashkëpunëtori i tij, si dhe procedohet penalisht në gjendje të lirë një shtetas tjetër. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, në vijim të kontrolleve të pandërprera të territorit, me qëllim evidentimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike, kanë konstatuar bimë narkotike kanabis të kultivuara në një zonë të pyllëzuar në fshatin Krrabë e Vogël, Elbasan.
Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Elbasan arrestuan në flagrancë shtetasin A. D., 31 vjeç, banues në Tiranë. Gjithashtu është shpallur në kërkim policor bashkautori i dyshuar i kultivimit të bimëve narkotike, shtetasi L. B., 30 vjeç, banues në Farkë, Tiranë. Ky shtetas, kur ka parë shërbimet e Policisë që po ushtronin kontroll në territor, i ka kanosur ata dhe ka mundur të largohet në një zonë të pyllëzuar. Vijon puna intensive për kapjen e tij. Në vijim të veprimeve është proceduar penalisht në gjendje të lirë shtetasi M. B., për moskallëzim krimi. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.
/Priza.al/