Pas Tiranës dhe Durrësit, tashmë kompania “De Mare-Albania”, e Fausto De Mare dhe kompania “Integrated Technology Service”, e Klodian Zotos, do të bashkëpunojnë për menaxhimin e mbetjeve në Vlorë. Pak javë më parë, kompania me kapital italian, e drejtuar nga Fausto De Mare, ka hapur një adresë dytësore pranë landfillit të Vlorës, një vepër e cila po ndërtohet nga Zoto.Tenderi i landfillit të mbetjeve që po ndërtohet në Sherishte të Vlorë, është fituar nga kompania në mungesë të plotë transparencës.
Kompania “De Mare-Albania”, e cila po menaxhon kontratën e dyshimtë 15 milionë euro të mbylljes së landfillit të Porto Romanos, ka rigjetur bashkëpunimin me “Integrated Technology Service” të Klodian Zotos, e cila nga ana e saj ka fituar në mungesë të plotë transparence tenderin për ndërtimin e landfillit të Sherishtës në Vlorë.
Pak javë më parë, kompania me kapital italian, e drejtuar nga Fausto De Mare, ka hapur një adresë dytësore pranë landfillit të Vlorës, një vepër e cila po ndërtohet nga Zoto.
Në qershor 2020, “Integrated Technology Service” dhe “Bulfaro” fituan tenderin rreth 10 milionë euro për menaxhimin e mbetjeve urbane të Vlorës, nëpërmjet ndërtimit të landfillit të Sherishtës.
Projekti është financuar nga Banka Gjermane për Zhvillim, KFV dhe procedurat janë ndjekur nga Njësia e Zbatimit, e cila u përcaktua Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve e Mbetjeve, si edhe nga Bashkia Vlorë, në cilësinë e përfituesit.
Për këtë tender nuk ka asnjë të dhënë zyrtare për kompanitë pjesëmarrëse, ofertat e tyre dhe se si u shpall fituesi.
E vetmja e dhënë që gjendet për landfillin e Sherishtës është një publikim në faqen e KFV-së gjermane, e cila tregohet transparente me të gjithë financimet dhe kreditë që ajo shpërndan në vende të ndryshme të botës.
Tashmë, në këtë biznes të Klodian Zotos është afruar edhe Fausto De Mare. Dy personazhet kanë bashkëpunuar më herët në ndërtimin e landfillit të Sharrës, në Tiranë.
Zoto ishte administratori i parë i kompanisë “Integrated Energy BV”, kur kjo e fundit nënshkroi kontratën koncensionare për ndërtimin e landfillit dhe inceneratorit të Sharrës, në Tiranë ndërsa Fausto De Mare, pronar i “De Mare” srl, hapi në vitin 2018 një zyrë përfaqësimi në Shqipëri, me qëllim menaxhimin e projekteve të saj në vendin tonë.
Nga të dhënat publike, rezultoi se “De Mare-dega në Shqipëri” u krijua vetëm për të menaxhuar ndërtimin e landfillit të Sharrës, projekt për të cilin ishte nënkontraktuar nga kompania e administruar prej Klodian Zotos.
Por, një vit më pas, Fausto De Mare regjistroi një kompani tërësisht të re në Shqipëri, “De Mare Albania”, në pronësi të shoqërisë italiane “De Mare srl”.
Vetëm pak javë pas regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Biznesit, “De Mare” fitoi një kontratë mbi 17 miliardë lekë të vjetra me TVSH, ose rreth 15 milionë euro, për mbylljen e landfillit të Porto Romanos në Durrës dhe ndërtimin e një Eko-Parku, nëpërmjet një tenderi të mbyllur, nga ato që konsiderohen “me negociim, pa shpallje paraprake”.
Në procedurën e zhvilluar nga Agjencia Kombëtare e Mbetjeve, e drejtuar nga Alqi Bllako, institucioni ftoi të merrin pjesë në tender “De Mare-n”, e cila ishte nënkontraktor në ndërtimin e landfillit të Sharrës dhe “Integrated Energy BV”, e cila zotëron koncensionin e landfillit të Sharrës.
Gara dukej e mbyllur pa u hapur dhe procedurat për tenderin 15 milionë euro të Porto Romanos qëndrojnë prej më shumë se një viti nën hetim nga SPAK-u, ashtu siç qëndrojnë nën hetim prej shumë muajsh edhe kontratat koncensionare të fituara nga Klodian Zoto dhe rrjeti i tij.
Sjellja pasive e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit i ka ndihmuar kompanitë private që të vijojnë të ndajnë të pashqetësuara milionat e plehrave.
Pasi mbyllën llogaritë në Tiranë e Durrës, tashmë Klodian Zoto dhe Fausto De Mare kanë vendosur të bashkëpunojnë edhe në Vlorë, ku janë në dispozicion plot 10 milionë euro, të cilat qeveria i ka marrë kredi, në emër të qytetarëve shqiptarë.
/Burimi: Syri Tv/