Bosët e inceneratorëve i kanë kthyer sytë nga Kruja, ku po inskenojnë një masakër mjedisore të ngjashme më të ato në Durrës, Fier e Kavajë.
Mbetjet që dikur groposeshin tashmë po digjen ose po hidhen në lumenj dukë shkaktuar një katastrofë mjedisore në Krujë, pikërisht në mes të sezonit turistik, ku ky qytet është ndër më të vizituarit nga të huajt.
Këto pamje që po shikoni vijnë nga fshati Halil i Fushë-Krujës ku djegia e mbeturinave po shkakton një katastrofë mjedisore.
Jemi në fshatin Halil, ku ndodhet vend-depozitimi i mbetjeve urbane të zonës por siç duket edhe nga pamjet tymi dhe bloza e shkaktuar nga djegia ka pushtuar zonën.
Pavarësisht se kjo problematika është e vjetër dhe është trumpetuar me dhjetëra herë në media vit pas viti deri më tani asnjë nga institucionet përkatëse nuk ka marrë asnjë masë.
Era e rëndë e cila kundërmon në të gjithë zonën e bën të pamundur qëndrimin e banorëve jashtë ku shpeshherë ata zgjedhin të largohen ose të mbyllen në shtëpi.
E sikur të mos mjaftonte kjo, skandali thellohet e më tej pasi mbetjet hidhen në ujërat e liqenit të Zagracës me urdhër të bashkisë së Krujës dhe Fushë-Krujës.
Për shkak të kësaj katastrofe e cila po shkatërron ekosistemin e kësaj zone gjallesat që dikur ishin të shumta dhe të shumëllojshme në këto liqen sot e kësaj dite nuk shikohen më.
Janë me mijëra tonelata plehra të të gjitha llojeve që vijnë nga Fushë Kruja të cilat herë pas here digjen pa ndalim me ditë e javë me radhë.
Tymrat toksik kanë mbuluar vendin me dhjetëra herë nga Mamurrasi e deri në Kamëz të ndihmuara nga erërat e forta.
Nga një vëzhgim i kryer nga “Syri Tv” vetëm për vitin 2019-2020 janë diagnostikuar 180 persona me sëmundje tumorale në rrethin e Krujës ndërkohë që janë me dhjetëra të vdekur nga tumoret që shkaktohen nga ndotja e ajrit pasi djegia e mbeturinave çliron një gaz i cili është mjaft i dëmshëm për banorët e zonës.
Pavarësisht se ky problem i cili shqetëson banorët e zonës por edhe bizneset përreth është trajtuar me dhjetëra herë në media duket se askush nga pushtetarët nuk po e vë ujin në zjarr për këtë problematikë.
Kjo duket se është e njëjta skemë që po ndiqet edhe nga bashki të tjera, në Durrës, Kavajë e Golem, me qëllim që plehrat të shkojnë në inceneratorin e Klodin Zotos në landfillin e Sharrës në Tiranë.
/Burimi: Syri Tv/