Zbardhet plagosja me armë zjarri në Ksamil, arrestohet autori dhe dy personat e tjerë të përfshirë (EMRAT)

Policia ka zbardhur detajet rreth plagosjes së ndodhur mbrëmë në Ksamil ku Edison Vyzaj, 28 vjeç plagosi me armë zjarri Taulant Beqirin, po 28 vjeç.

Sipas njoftimit të policisë Vyzaj gjatë një debati ka qëlluar me pistoletë drejt Beqirit duke u larguar menjëherë nga vendgjarja, ndërkohë që rezulton se shtetasi Makawitage Perera, banues në Itali ka fshehur armën e krimit.

Në prangat e policisë së Sarandës kanë rënë të tre shtetasit, dhe në cilësinë e provës materiale është sekuestruar arma e krimit, 3 fishekë si dhe lëndë narkotike.

Njoftimi i policisë:

Zbardhet dhe dokumentohet ngjarja e ndodhur mbrëmjen e djeshme, ku mbeti i plagosur shtetasi Tauland Beqiri, 28 vjeç, banues në Këlcyrë.

Vihen në pranga 3 shtetasit e përfshirë në këtë ngjarje.

Sekuestrohen një armë zjarri pistoletë, municion luftarak dhe një sasi lënde narkotike.

Falë veprimeve të shpejta hetimore të kryera nga strukturat hetimore të DVP Vlorë dhe të Komisariatit të Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Sarandë, u bë zbardhja e ngjarjes, identifikimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:

-Edison Vyzaj, 28 vjeç, banues në Shkodër, per veprat penale ”Plagosja e rëndë me dashje”, ”Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”;

-Tauland Beqiri, 27 vjeç, banues në Këlcyrë, Përmet, për veprat penale ”Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe ”Moskallëzimi i krimit”;

-Makawitage Perera, 24 vjeç, banues në Itali, për veprat penale ”Prodhimi dhe shitja r narkotikëve” dhe ”Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.

Arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi mbrëmjen e djeshme, në një dhomë hoteli në Ksamil, shtetasi Edison Vyzaj ka plagosur me armë zjarri shokun e tij, shtetasin Tauland Beqiri, ndërsa shtetasi Makawitage Perera ka fshehur armën e zjarrit pistoletë të përdorur në këtë ngjarje. Gjithashtu, shtetasi i plagosur Tauland Beqiri, pasi është dërguar në spital, ka refuzuar të japë gjeneralitetet dhe të tregojë rrethanat e ngjarjes.

Nga shërbimet e Policisë, në cilësinë e provës materiale është sekuestruar një armë zjarri e llojit pistoletë, me një karikator me 3 fishekë dhe nje sasi lënde narkotike cannabis sattiva, e cila është gjetur gjatë kontrollit në dhomën e hotelit ku qëndronin këta shtetas.

Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *