Prej 22 ditësh në Shqipëri vijojnë zjarret. Sot është aktivizuar një tjetër vatër zjarri në Pukë. Mësohet se flakët kanë përpirë më shumë se 20 hektarë pyje. Vatrat më aktive janë në Majën e Rrunës dhe në Radat të Dropullit, ku flakët rrezikojnë edhe banesat.
Situatë e vështirë është edhe në Patalej dhe Thirrë, por flakët nuk rrezikojnë banesat dhe deri më tani kanë bërë dëme të mëdha në mjedis.
VATRAT MË TË RREZIKSHME
– Zjarri në fshatin Patalej, njësia administrative Kolsh, bashkia Lezhë për shkak të erës së fortë është përhapur në drejtim të verilindjes, duke kaluar nga ana tjetër e rrugës kryesore që ndodhet në Patalej. Situata nuk paraqet rrezik për zonat e banuara, por rrezikshmëri në përhapje të perimetrit të saj në një sipërfaqe me shkurre dhe pemë të ndryshme. Situata po ndiqet nga forcat në terren.
– Zjarri në fshatin Thirrë, njësia administrative Fan, bashkia Mirditë është riaktivizuar. Është djegur sipërfaqe pyjore me shkurre dhe dushqe. Sot zjarri është përhapur nga erërat e forta duke e bërë të rrezikshme ndërhyrjen e forcave . Në ndihmë për shuarjen e zjarrit kanë shkuar 50 forca ushtarake dhe 2 mjete zjarrfikëse nga Forcat e Armatosura. Gjatë ditës ka punuar edhe Helikopteri çek. Vatra e zjarrit ka përshkuar një sipërfaqe të madhe rreth 150 ha dhe djegur 90 ha me ahe, pishë, barishte dhe dushqe. Nuk ka rrezik për zona të banuara.
-Në “Majën e Rrunës”, Laku i Mollave dhe Laku i Thive, njësia administrative Malzi, në Kukës ka vijuar puna për shuarjen e vatrave të zjarrit në vendin e quajtur “Laku i Mollave”. Situata vijon të mbetet kritike, pasi është e vështirë të ndërhyhet nga toka. Gjatë ditës së sotme është punuar nga ajri. Nuk rrezikohet tuneli dhe banesa.
-Në fshatin Mbreshtan, bashkia Kolonjë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe pyjore me shkurre dhe pisha. Situata është më e qetë, por vazhdon zjarri brenda pjesës së djegur.
-Vijon puna për shuarjen e zjarrit në Malin e Tërbunit, bashkia Pukë. Flakët kanë përshkuar rreth 20 hektarë sipërfaqe me pyje e shkurre. Nga toka po punojnë 25 forca te armatosura dhe 35 forca te tjera zjarrfikëse, shërbimi pyjor dhe të njësisë administrative. Nga ajri kanë punuar dy helikopteret hollandezë. Aktualisht në pjesën veriore nga kurora e qytetit Pukë zjarri është drejt izolimit. Po punohet në pjesën tjetër të vatrës për të vënë situatën nën kontroll. Por, pavarësisht punës së bërë ditën e sotme, për shkak të kushteve atmosferike rrezikon kalimi i zjarrit në kurorën e qytetit Pukë.
-Sipas informacionit nga EC F.Arrëz është riaktivizuar vatra e zjarrit në Fletë, ku po punohet për izolimin e saj. Në terren janë rreth 60 punonjës të pyjeve dhe njësisë administrative që po punojnë për shuarjen dhe izolimin e tij, pavarësisht kushteve të terrenit dhe erës së fuqishme, të cilat e bëjnë të vështirë ndërhyrjen. Zjarri rrezikon të kalojë në fshatin Kryezi.
-Situata u përkeqësua gjatë pasdites në vatrën e zjarrit në fshatin Radat në Dropull, e cila ishte stabilizuar gjatë ditës. Situata mund të rrezikojë banesat. Policia dhe zjarrfikësit kanë marrë masat për sigurimin e banesave. Në ndihmë ka shkuar edhe FA për vënien nën kontroll të situatës.
Ndërkohë që paralelisht Policia ka nisur arrestimin, procedimin dhe kërkimin e personave që i kanë vendosur zjarrin qëllimisht sipërfaqeve pyjore. 3 persona do të vihen para përgjegjësisë për ndezjen e disa vatrave zjarri në Lezhë dhe Mirditë. Policia ka arrestuar 66-vjeçarin Preng Luçia, banues në fshatin Gjakëz, Mirditë, i cili ndezi zjarr në oborrin e banesës së tij dhe zjarri ka dalë jashtë kontrollit duke djegur një sipërfaqe të madhe me pyje dhe disa banesa të braktisura në fshatin Gjakëz. Edhe për një vatër zjarri në Lezhë është arrestuar një 52-vjeçar Petrit Leka, banues në Zejmen, i cili pasi dogji disa mbeturina, por zjarri i ka dalë jashtë kontrollit duke djegur një sipërfaqe të madhe barishte dhe kullota.Gjithashtu, po hetohet në gjendje të lirë Gjyste Vata, 70 vjeçe, banuese në Balldren, Lezhë. Pasi ka ndezur zjarr në kanalin kullues, zjarri i ka dalë jashtë kontrollit duke djegur një sipërfaqe me bimësi në fshatin Balldre.
Edhe në Gjirokastër janë vënë nën hetim dy persona për dy zjarret e shënuara ditën e djeshme në zonë e Dropullit dhe të fshatit Memaliaj. Bëhet fjalë për Vasil Omiro dhe Muharrem Beqiri.
/Priza.al/