Numri i viktimave nga vërshimet dhe rrëshqitjet e dheut në Turqi ka arritur në të paktën 40. Shirat e rrëmbyeshëm që goditën të mërkurën provincat Bartin, Kastamonu dhe Sinop, kanë shkaktuar vërshime, që kanë shkatërruar shtëpi, kanë dëmtuar të paktën pesë ura dhe shumë rrugë janë bërë të pakalueshme. 34 persona kanë vdekur në Kastamonu dhe gjashtë në Sinop.
Nëntë persona vazhdojnë të jenë të hospitalizuar në Sinop dhe një person konsiderohet i zhdukur në provincën Bartin, tha agjencia turke. Por, disa banorë kanë shkruar në rrjetet sociale se qindra persona konsiderohen të zhdukur dhe e njëjta deklaratë është thënë edhe nga ligjvënësit opozitarë.
Rreth 2.250 persona janë evakuuar në mbarë rajonin dhe disa janë shpëtuar përmes helikopterëve, ndërkaq të tjerë janë strehuar përkohësisht në konviktet e studentëve, thanë autoritetet.
Ekspertët në Turqi, megjithatë thonë se ndërhyrjet në shtretërit e lumenjve dhe ndërtimet pa leje, gjithashtu kanë kontribuar që Turqia të pësojë dëme masive nga vërshimet. Vërshimet në Turqi vijnë teksa jugu i Turqisë është përballur me zjarre të mëdha. Të paktën tetë persona kanë vdekur nga zjarret që kapluan provincat e Muglas dhe Antalisë.
/Priza.al/