Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka reaguar lidhur me situatën e krijuar në Afganistan dhe me strehimin e qytetarëve nga BE dhe SHBA.
Ai ka fajësuar lidershipin afgan për rënien e qeverisë dhe ushtrisë si përgjegjëse për kaosin që është shkaktuar këtë kohë, por ai pranoi se aleanca duhet gjithashtu të adresojë të metat në programin e saj të trajnimit ushtarak.
NATO ka udhëhequr përpjekjet ndërkombëtare të sigurisë në Afganistan që nga viti 2003, por përfundoi operacionet luftarake në 2014 për t’u përqëndruar në trajnimin e forcave të sigurisë kombëtare të Afganistanit. NATO ndihmoi në krijimin e një ushtrie rreth 300,000 trupa, por ajo forcë u tha para ofensivës së talebanëve në vetëm disa ditë.
“Ajo që kemi parë në javët e fundit ishte një kolaps ushtarak dhe politik me një shpejtësi që nuk ishte parashikuar,” u tha Stoltenberg gazetarëve pasi drejtoi një takim të ambasadorëve të NATO -s.
Ai tha se pjesë të ushtrisë afgane “luftuan me guxim”, por se “në fund të fundit, udhëheqja politike afgane nuk arriti t’i rezistojë talebanëve dhe të arrijë zgjidhjen paqësore që afganët e dëshironin dëshpërimisht”.
“Ky dështim i lidershipit afgan çoi në tragjedinë që po dëshmojmë sot,” tha Stoltenberg, i cili gjatë viteve shpesh këmbënguli se talebanët do të kenë sukses vetëm në tryezën e negociatave dhe kurrë nuk do të arrijnë fitoren në fushën e betejës.
Një vit më parë, “Misioni i Mbështetjes Vendosëse” i NATO -s për të trajnuar forcat afgane të sigurisë përfshiu rreth 10.000 personel nga 36 vende anëtare dhe partnere. Të Dielën, një zyrtar i NATO -s tha “nuk ka trupa nën komandën e NATO -s në Afganistan aktualisht”.
Pavarësisht të metave të ekspozuara në Afganistan nga korrupsioni dhe mungesa e lidershipit, aleanca ushtarake prej 30 vendesh beson se trajnimi i forcave vendore të sigurisë është mënyra më e mirë për të luftuar ekstremistët si grupi i Shtetit Islamik dhe për të shmangur rrezikimin e trupave perëndimore.
“Ne duhet të vazhdojmë të luftojmë terrorizmin ndërkombëtar,” tha Stoltenberg dhe ai këmbënguli se përpjekjet e NATO -s kishin ndihmuar në dobësimin e rrjetit të Al Kaedës. Ai tha se NATO mund të shmangë përfshirjen në operacionet luftarake nëse trajnon me sukses forcat lokale.
Por, ai pranoi, “pyetja e madhe që duhet të bëjmë në një mënyrë të sinqertë dhe me sy të qartë është: pse forcat që ne stërvitëm dhe pajisëm dhe mbështetëm për kaq shumë vjet, pse nuk ishin në gjendje të qëndronin kundër Talibanëve në një mënyrë më të fortë dhe më të mirë se ata? ”
Stoltenberg tha se qëllimi afatshkurtër i NATO-s në rrethana “jashtëzakonisht serioze dhe të paparashikueshme” është të sigurojë që personeli nga vendet anëtare dhe partnere të mund të dalë në mënyrë të sigurt, si dhe ata afganë që i kanë ndihmuar.
Sipas Associated Press, gjatë një deklarate nga selia e NATO-s, Stoltenberg ka deklaruar se situata është kritike dhe se do të dërgohen avione shtesë për evakuimin e qytetarëve afganë.
“Talebanët kanë marrë kontrollin e vendit. Unë jam shumë i mërzitur për atë që po shoh në Afganistan. Unë dua të falenderoj vendet që po ndihmojnë në evakuimin e qytetarëve. Gjithashtu falenderoj SHBA dhe Britaninë e Madhe për sigurinë që ofruan në aeroport.
NATO ka mbështetur të gjitha operacionet ndërkombëtare të sigurisë në Afganistan që prej vitit 2003.
Stoltenberg gjithashtu u bëri thirrje talebanëve të respektojnë dëshirat e atyre që duan të largohen dhe të mos mbyllin pikat e kalimit kufitar ose aeroportet. Ai u bëri thirrje militantëve që të shmangin “hakmarrjen ose ndëshkimin” dhe të sigurojnë një transferim paqësor të pushtetit.
/Burimi: Associated Press/ përshtati në shqip Priza.al/