Albert Gajo, ish-Zv.ministër i Integrimit në vitet 2005-2009 dhe ish-Zv.ministër i Shëndetësisë në vitet 2009-2013, në qeveritë “Berisha”, është arrestuar pasi akuzohet për zjarrvënie të qëllimshme.
Policia e Shtetit njoftoi sot se Gajo, 59 vjeç, u arrestua në vendin e njohur si “Sarandapor” në Leskovik, pasi akuzohet se ka shkaktuar rënien e zjarrit në një sipërfaqe të mbjellë me vreshtari.
Zjarri ka dalë nga kontrolli dhe është djegur edhe një sipërfaqe tjetër me bimësi aty rrotull.
NJOFTIMI I PLOTË:
“Kolonjë Dogji me zjarr një sipërfaqe me vreshtari, zjarri përfshiu më pas edhe një sipërfaqe tjetër me bimësi të ndryshme, vihet në pranga autori i dyshuar. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kolonjë, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. G., 59 vjeç, banues në Tiranë, pasi në vendin e quajtur “Sarandapor”, në Leskovik, Kolonjë, me veprimet e tij ky shtetas ka shkaktuar rënien e zjarrit në një sipërfaqe me vreshtari, duke përfshirë më pas edhe një sipërfaqe tjetër me bimësi.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.
Drejtoria Vendore e Policisë Korçë apelon për të gjithë banorët, që në asnjë rast mos shkaktojnë zjarrvënie, pasi do përballen me ligjin.
Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe Komisariatin Dixhital për çdo rast të zjarrvënies apo të paligjshmërisë në tërësi duke iu garantuar anonimatin dhe reagim të shpejtë e të paanshëm nga strukturat policore”.
/Priza.al/