Ish-zv. ministri i Integrimit(2005-2009) dhe Zëvendës Ministër i Shëndetësisë (2009-2013) në kohën e qeverisjes së Partisë Demokratike, Albert Gajo, është arrestuar nga policia e Kolonjës për zjarrvënie të qëllimshme.
59-vjeçari, banues në Tiranë, dyshohet se në vendin e quajtur “Sarandapor”, në Leskovik, Kolonjë, me veprimet e tij ka shkaktuar rënien e zjarrit në një sipërfaqe me vreshtari, duke përfshirë më pas edhe një sipërfaqe tjetër me bimësi.
Kjo ngjarje u zbulua nga fqinji, Byro Rusi, i cili denoncoi ish-zëvëndës ministrin për djegien e 2.5 hektarë vreshta. Ai ka folur në një lidhje telefonike me ‘News24’ ku ka sqaruar ngjarjen.
Byro Rusi është shprehur se Gajo ditën e djeshme ka hedhur shashka për të trembur zogjtë të cilët po i hanin rrushin dhe në këtë mënyrë i ka vënë zjarrin vreshtave dhe sipërfaqeve me shkurre e barishte. Rusi tha se ka qenë roja i vreshtit si dhe barinjtë që kanë parë skenën, teksa foli edhe për konflikte të mëparshme me Gajo.
Rusi ka thënë se kishte një konflikt që më përpara me Gajon pasi ai e kishte akuzuar atë për tentative vrasje dhe kërcënim.
“Historia është pak e gjatë. Dje zotëria në fjalë, ka shkuar në vreshtin që është pronë e përbashkët e disa bashkëpronarëve dhe ka hedhur shashka për të trembur zogjtë që mos të hanë rrushin. Me këto shashka ka vënë flakën. Ka dalë jashtë kontrollit, ka marrë flakë vreshti, ka marrë flakë pylli që është afër. Dëme pafund. Toka është në bashkëpronësi dhe z. Gajo e ka zaptuar dhe na ka larguar duke pasur influenca politike, siç bëhen gjërat në përgjithësi. Unë jam në gjyq me z. Gajo sepse më akuzuar për tentativë vrasje, kërcënim, ndërkohë që e kam pasur ortak z. Gajo. Shkoja me mjetin tim e shpenzimet e mia në vreshta, toka është e babait tim, e hallave të miat. Ai nuk ka qenë pronar, me disa manovra e falsifikime u fut në pronë nëpërmjet ish-bashkëshortes së tij që është kushërira jonë. Ai bën dhe budallallëkun më të madh me papërgjegjshmërinë më të madhe i vë dhe flakën. Është totalisht një njeri handikapat. Dje në drekë ka ndodhur zjarrvënia. Është roja që z. Gajo ka vënë dhe nja dy barinj të zonës. Policia u mbështet tek ata. Është një vend shumë i izoluar ku nuk ka njerëz të tjerë. Janë djegur rreth 2.5 hektarë vetëm vresht dhe pjesa e pyllit mbi 1 hektarë. Marr shkas të falënderoj zjarrfikësit”
/Burimi: News24/