KUJDES! Pamje të rënda +16!
Oficeri i policisë së San Diego në SHBA-ve, David Faiivae, thuajse humbi jetën kur u ekspozua ndaj një mase të rrezikshme fentanili, droga sintetike me bazë opiumi, gjatë një aksioni sekuestrimi narkotikësh në fillim të muajit.
Incidenti i frikshëm u regjistrua nga kamerat trupore të kolegut të tij i cili i shpëtoi jetën. Por tashmë ato janë kthyer në një paralajmërim publik në SHBA, që njerëzit të qëndrojnë larg opiateve sintetike.
Situata dramatike nis kur Faiivae dhe kolegu i tij Scott Crane i afrohen një automjeti fuoristradë të kuqe, në pjesën e pasme të të cilit Faiivae zbulon një pluhur të bardhë.
“Mund të jetë kokainë ose fentanil,” thotë kolegu i tij.
Dhe ndërsa Faiivae tenton të ekzaminojë nga afër substancën, Crane e paralajmëron “Ej shok, mos iu afro aq shumë.”
Por në moment Faiivae e humbet toruan, bën vetëm dy hapa prapa dhe bie i shembur përtokë.
Crane thërret për ndihmë, dhe më pas merr sprajin e hundës Narcan nga makina e policisë, dhe e aplikon te partneri i tij i pnadërgjegjshëm.
Kjo duket se i shpëton atij jetën. Spraji hundor përdoret shpesh në SHBA dhe njihet që ndalon efektet e mbidozës së drogave opiate, siç është bllokimi i rrugëve të frymëmarrjes.
Crane e zbraz atë në vrimat e hundës së Faiivae dhe i kërkon të fokusohet te frymëmarrja.
“Je këtu me mua, nuk do të të lë të vdesësh,” i thotë Crane. Ndërkohë sirena të policisë dëgjohen të afrohen, dhe më pas makina që frenojnë.
Crane tregon se kolegu i tij ishte marrë me barrelë nga mjekët e emergjencës dhe ishte trajtuar në spital.
Duke kujtuar incidentin Faiivae pranon se “thuajse vdiqa nga një overdozë fentanili, vetëm duke nuhatur.”
Sherifi i San Diego, Bill Gore thotë se oficerët e tij sekuestrojnë çdo ditë sasi të drogës së rrezikshme, që llogaritet se është rreth 50 herë më e fortë se heroina.
“Kjo drogë po vret komunitetet tona,” thotë Gore, duke nxitur të gjithë ata që shikojnë videon ta shpërndajë për të ndërgjegjësuar mbi realitetin e pasigurisë së drogave.
/Priza.al/